Ministria e Infrastrukturës mund të jetë përgjegjëse në rastin e aksidentit të dy policëve. Ja pse?

Dje Ministria e Infrastukturës njoftoi se rruga Kaçanik-Hani i Elezit do të mbyllet për qarkullim. Vendim që erdhi 10 ditë pas aksidentit ku dy policë të Kosovës humbën jetën.

Lajme

08/05/2018 18:23

Malsor Dashi e Armend Trena ranë nga 100 metra lartësi, duke qenë të zhdukur për gati 10 ditë.

E në vendin ku ka ndodhur aksidenti, është vërejtur se ka pasur edhe mungesë të mbrojtëseve që shërbejnë për parandalimin e rënies në humnerë në rast të aksidenteve. Mungesa e këtyre mbrojtësve anësore ka mundur të ndikojë që vetura e policëve të bie poshtë.

Por sa i përket shkaqeve të aksidentit, Prokuroria ka bërë të ditur se po vazhdojnë me hetime.

Kurse, Nol Dedaj ekspert i rrugëve dhe komunikacionit ka thënë për lajmi.net se për aksidentin mund të jenë dy faktorë.

“Për rastin e dy policëve nuk kam qenë në vendin e ngjarjes, e kam parë vetëm në media. Dhe e kam parë që aty nuk ka mbrojtëse. Pra saktë ku ka ndodhur aksidenti dhe ku ka rënie të gurëve. Këto janë dy elemente: njëra është elementi i faktorit rrugë, pra pahitë elastike ose mbrojtëset, dhe e dyta pra nëse është faktori aksident, pra nëse kanë rrëshqitur gurët nga lartë”, ka thënë Dedaj.

Vendi ku kanë rënë policët me veturë

Tutje eksperti i komunikacionit ka bërë të ditur se në Ministri nuk raportohet për gjetjen e rrugëve. Sipas tij vetëm pas aksidenteve jepen informacione dhe merren vendime.

“Zakonisht, po tregoj drejt, Ministria nuk raporton për gjendjen e rrugëve, vetëm pas askidentit raportojnë se rruga nuk është e kalueshme, për sigurinë e qytetarëve. Pra, kështu i japin informacionet”, tha ai për lajmi.net.

Dedaj theksoi se edhe rasti i aksidentetit me fatalitet të ish-kryetarit të Ferizajt, Bajrush Xhemajli erdhi për shkak të mungesës së mbrojtëseve. Kurse ato vendosën tek pas aksidentit  ku mbeti i vdekur një i ri dhe Xhemajli mbajti burg si shkaktar i aksidentit.

“Nuk është ky rasti i parë, kemi raste tjera, p.sh. edhe rasti i ish-kryetarit të Ferizajt, ku në rrugë nuk ka pasur mbrojtëse mes dy shiritave të qarkullimit, e pas aksidentit janë vendosur”, theksoi Nol Dedaj.

Ky i fundit gjithashtu tha se nëse konfirmohet se një aksident është shkaktuar nga elementet rrugore, atëherë Ministria e Infrastrukturës e ka përgjegjësinë kryesore.

“Ministria e Infrastrukturës e ka përgjegjësinë kryesore sa i përket sigurisë rrugore. Nëse konfirmohet që aksidentin e kanë shkaktuar elementet rrugore atëherë kjo ministri e ka përgjegjësinë komplete”, përfundoi Nol Dedaj.

Ndryshe ende nuk dihet se kur do të hapet për qarkullim rruga Kaçanik-Han i Elezit. /Lajmi.net/