Ministria e Drejtësisë kërkon largimin e një kryetari gjykate

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka kërkuar sot nga KLD të marrë masa për kryetarin e Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi. Sipas ministres, Zefi ka fshehur një dënim të kancelarit të gjykatës.

Lajme

18/01/2018 16:00

Gjonaj kërkon që KLD të hetojë këtë rast dhe të nisë masat displinore ndaj kryegjyqtarit. Ky është rasti i tretë brenda pak ditësh që ministrja i kërkon Këshillit të Lartë të Drejtësisë të shkarkojë gjyqtarët.

Javën e kaluar Gjonaj i kërkoi KLD të shkarkojë gjyqtarin Petraq Curri të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës si dhe fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares Enkeleida Hoxha të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Lidhur me rastin e kryetarit të Gjykatës së Shkodrës, Ministria e Drejtësisë thotë:

​Nga hetimi ka rezultuar se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, nuk ka përcjellë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve shkurtimin e vendimit penal të formës së prerë për dënimin e shtetasit A.D., aktualisht kancelar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale të parashikuar nga neni 290/1 i K.Penal. Në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore, ky shtetas rezulton në mënyrë të paligjshme si i padënuar nga gjykatat penale shqiptare.