Ministria e Bujqësisë dhe Sindikata, njëra për lisa tjetra për fshisa

Në Kosovë ka përfunduar fushata e korrje-shirjeve, por zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë dhe ata të Federatës sindikale të bujqve japin shifra shumë kundërthënëse rreth përmbushjes së nevojave me ushqim nga rendimentet e grurit.

Lajme

24/08/2014 17:10

Derisa në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural thonë se sivjet Kosova plotëson mbi  80 për qind nevojat për ushqim nga rendimentet e grurit, përfaqësues të bujqve vlerësojnë se kjo shifër nuk arrin as 30 për qind të mbulimit të nevojave me ushqim. 

Jusuf Cikaqi, kryetar i Komisionit për monitorimin e fushatës së korrje-shirjeve, i tha Radios Evropa e Lirë se 86 mijë hektarë sipërfaqe kanë qenë të mbjella me grurë, hapësirë kjo që mbulon nevojat me ushqim për 80 për qind të popullatës. Sipas tij, cilësia e grurit është e kënaqshme, kurse sasia është në suaza të normales.

“Bazuar në të dhënat që kemi pasur, që kanë qenë të mbjellë  86 mijë hektarë me grurë, me një rendimente mesatar që sivjet është 3,800 kilogram për një hektar, del se Kosova ka prodhuar afër 329, 891 tonë grurë, kurse nevojat janë 410 mijë tonë. Bazuar me numrin e banorëve, që është 2 milionë dhe me 205 kilogramë për kokë banori, kur këtë e kthejmë në përqindje i bie se Kosova ka prodhuar sasi të grurit që plotëson nevojat për 80 për qind të popullatës”, shpjegon Cikaqi.

Por, Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve, thotë se në Kosovë deri në 65 mijë hektarë kanë qenë të mbjellë me grurë, kurse janë plotësuar rreth 30 për qind të nevojave të popullatës me grurë.

“Diku prej 60 deri në 65 mijë hektarë sillen sipërfaqet me grurë. Kurse, rendimentet që sivjet gruri ka dhënë janë rreth 2,500 – 2,700 kilogramë. Është një nga vitet që ka dhënë rendimentet më të ulëta të prodhimtarisë së grurit. Në bazë të këtyre të dhënave, kemi konstatuar se buka nuk është siguruar më shumë se 25 deri 30 për qind të nevojave të popullatës së Kosovës”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Ai nuk u beson të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, pasi, siç thotë ai, ka mungesë të kuadrove të zyrtarëve në drejtoritë komunale për bujqësi dhe që nuk dalin në terren.

Ndërkaq, Cikaqi, nga Ministria e Bujqësisë, duke iu përgjigjur zotit Tahiri, thekson se ministria ka monitoruar tërë procesin e korrje-shirjeve, kurse të dhënat e tjera i ka marrë nga drejtoritë komunale për bujqësi që janë aktive dhe ka kuadro të mjaftueshme. 

Sipas Cikaqit, viteve të fundit është rritur interesimi i fermerëve për kultivimin e grurit, sidomos pas fillimit të shpërndarjes së subvencioneve për bujqit.

“Nëse bazohemi në të dhënat statistikore, shihet se pas përfundimit të luftës janë mbjellë deri 65 mijë hektarë me kulturën e grurit. Kurse, nga viti 2008, kur Ministria e Bujqësisë filloi të bëjë subvencionimin për hektarë të mbjellë, interesimi i fermerëve për të rritur këtë kulturë është  rritur dhe nga viti në viti këto sipërfaqe janë shtuar. Do të thotë, nga 65 mijë hektarë tashmë mbillen rreth 90 mijë hektarë me drithëra të bardha”, shton Cikaqi.

Megjithatë, në mungesë të sigurimit të bukës, Kosova vazhdimisht importon grurë dhe miell, sidomos nga vendet e rajonit.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, vitin e kaluar në Kosovë janë importuar mbi 53 milionë kg grurë, miell mbi 44 milionë kg, kurse në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë importuar mbi 20 milionë kg grurë, dhe mbi 23 milionë kg miell.