Ministri Tahiri: Prioritet i imi mbetet lufta e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Legjislaconi penal është avancuar për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, ashtu siç është kërkuar nga Agjenda Evropiane dhe obligimet nga Kontrata për Përkrahje Sektoriale Buxhetore për Reformën e Administratës Publike.

Lajme

26/04/2018 13:25

Këtë gjë e ka bërë të ditur ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, pasi mori pjesë në takimin e Grupit të veçantë për Reformën e Administratës Publike. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ministri Tahiri ka bërë të ditur se pas miratimit në Qeveri të Draft Kodit Penal, së shpejti do të procedohet edhe Draft Kodi për Procedurën Penale.

“Prej ardhjes në krye të Ministrisë të Drejtësisë, në kuadër të kompetencave të mia, kam punuar vazhdimisht në avancimin e legjislacionit penal, për të garantuar masat e nevojshme për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe atë të reformave gjyqësore, në kuadër të sfidave të dala nga Agjenda Evropiane në vend e ne veçanti përmbushjes së obligimeve të përcaktuara në kuadër të Kontratës për Përkrahje Sektoriale Buxhetore për Reformën e Administratës Publike. Këtë mesazh e ndava në takimin e Grupit të veçantë për Reformën e Administratës Publike. Përmes një pune tejet dinamike, gjithëpërfshirëse dhe profesionale, Ministria ka hartuar dhe është miratuar në Qeveri Draft-Kodi Penal i Republikës së Kosovës, dhe jemi duke e finalizuar Draft-Kodin e Procedurës Penale, të cilin së shpejti do ta dërgoj në Qeveri për miratim”, ka shkruar Tahiri.

Të gjitha obligimet e dala për reformën e administratës publike, sipas Tahirit, janë trajtuar me prioritet të lartë, ndërsa dispozitat e reja ligjore ndikojnë në luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Këto dispozita të reja ligjore do të ndikojnë jashtëzakonisht shumë në luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është prioritet i imi në këtë mandat, dhe njëkohësisht shprehin përkushtimin e Ministrisë se obligimet që dalin në kuadër të Kontratës për Përkrahje Sektoriale Buxhetore për Reformën e Administratës Publike janë trajtuar me prioritet të lartë”, ka përfunduar Tahiri.