Ministri Tahiri i gatshëm për mbulim financiar të hetimeve për vdekjen e Astrit Deharit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po mbahet interpelancë në lidhje me vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, ka shprehur gatishmërinë e tij të mëtutjeshme në zbardhjen e këtij rasti.

Lajme

16/03/2018 16:44

Tutje, Tahiri e ka cilësuar këtë temë, si çështje në të cilën politika nuk ka vend, ngase kjo duhet t’i lihet tërësisht fushës së Gjyqësorit, raporton lajmi.net.

“Tema për të cilën është është diskutuar është një temë në të cilën politika nuk ka shumë vend, në rrafshin personal, jo vetëm Astrit Dehari por çdo qytetar tjetër i Kosovës është rast që na prek, sepse para se të kemi ndonjë kualifikim politik, të gjithë jemi qytetarët të barabartë të këtij vendi.” tha Tahiri.

“Që nga java e parë e marrjes së detyrës këtij rasti ju kam qasur me seriozitet, nuk kam pasur asnjë kërkesë mirëpo kam vlerësuar  si të nevojshëm angazhimin në zbardhjen e vrasjes së Astrit Deharin”, shtoi Tahiri.

Tahiri tha se ka shprehur edhe gatishmërinë për mbështetjen financiare të hetimeve për zbardhjen e rastit.

“Kam dërguar letrën Aleksandër Lumnezit ku kam shprehur gatishmërinë edhe financiare për zgjidhjen e rastit, brenda apo jashtë vendit. Me qëllim të ofrimit të mbështetjes, i kam kërkuar qeverisë ndarjen e 50 mijë eurove. Tutje, se bashku me Kryeministrin Haradinaj kemi pritur prindërit e Astritit, të cilët kanë kërkuar që hetimet të bëhen në Lozanë Të Zvicrës, Prokurori i rastit ka vendosur kontaktet dhe jemi duke pritur rezultatet e bashkëpunimit institucional.” deklaroi Tahiri.

Ju ftoj që të shkëputeni nga kjo mendësi fataliste, ky rast do të zbardhet, jemi në një proces ku prokuroria janë duke përkthyer materialin e kërkuar nga Instituti i Zvicrrës. Unë nuk do të ndalem deri në vendimin final të këtij institute, nuk kam pasë asnjë kërkesë që ky rast të kthehet, mirëpo këtë çështje e kam inicuar i pari.” përfundoi Tahiri./Lajmi.net/