Ministri Shqiptar flet për taksën në Rrugën e Kombit

Damian Gjiknuri, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Shqipërisë, ka folur sot në Kuvendin e Shqipërisë për taksat e vendosura për mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit”.

Lajme

29/03/2018 17:04

Ai duke iu drejtuar deputetëve tha se ky debat që është krijuar nga pseudo-patriotët duke u thirrur në thënien se “pseudo-patriotizmi është streha e fundit e maskarenjëve në politikë”.

Ndërtimi i “Rrugës së Kombit” ka kushtuar 1.3 miliard euro dhe, sipas Gjiknurit, ende nuk ka përfunduar pasi ka nevojë edhe për investime të tjera.

Ai ka shpjeguar se është bërë një studim fizibiliteti dhe për ta mirëmbajtur këtë rrugë duhen investime të konsiderueshme dhe, sipas tij, në këto investime duhet të kontribuojnë edhe përdoruesit e saj.

“Sipas kontratës koncesionari parashikohet të investojë 262 milionë dollarë gjatë jetës së kontratës, që do të thotë operim, mirëmbajtje rutinë dhe investim sepse rrugët kanë normë të lartë amortizimi, sidomos ajo lloj rruge e cila është rrugë në një terren malor, rrugë me terren të vështirë gjeologjik. Nëse nuk mirëmbahet ajo rrugë, për pak vite do të dalë jashtë përdorimit”, ka theksuar Damian Gjiknuri.

Më tej ministri ka treguar se vetëm katër vitet e para do të investohen 45 milionë dollarë, ku përfshihet rrethimi, ndriçimi, ura e re mbi lumin Drin, shtatë kryqëzime të reja, qendra e kontrollit të sinjalistikës, mbikalim në Kukës, etj.

“Nga do të dalin këto para, ose shqiptarëve do t’u hiqen nga taksat që paguajnë për shëndetësi, shkollë që janë sektorë jetik për vendin dhe të hidhen paratë në një rrugë, jo kjo nuk bëhet, përdoruesi i rrugës do të paguaj këtë”, ka theksuar Gjiknuri.

Ai ka shtuar se kjo rrugë nuk e kthen investimin pasi është një rrugë ku kalojnë 4000 makina në ditë.

“U bë për rrugë patriotike, por përdoruesit do të kontribuojnë që kjo rrugë të mirëmbahet. Ma thuaj një vend evropian që nuk ka tarifa për mirëmbajtjen e rrugës, kjo është forma e vetme që ta kemi atë aset, sepse është më e dhimbshme që ta humbim këtë aset”, ka shtuar Gjiknuri.

Ai ka dhënë një sqarim për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës duke thënë se kjo tarifë nuk ka asnjë impakt ekonomik.

Po ashtu ai shtoi se nëse ka një gjë patriotike që duhet të bëjnë qytetarët, ajo është mirëmbajtja e aseteve të këtij vendi.

“Një njeri që vjen e shpenzon 1,000 euro për pushime po e vritkan 5 euro të paguaj më shumë, kudo që shkojnë do të duhet të paguajnë. Rrugët janë të rëndësishme dhe mirëmbajtja e tyre është barrë e rëndë për qeverinë. Kush përdorë makinë dhe kush e përdorë atë rrugë duhet të kontribuojë”, ka përfunduar ministri, Damian Gjiknuri.