Ministri Shala: Vendimet që i kemi marr dëshmojnë se po e mbrojmë konsumatorin

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka theksuar se që nga marrja e detyrës mbrojtjen e konsumatorit e ka vendosur ndër prioritetet kryesore dhe sipas tij, kjo është dëshmuar me vendimet që i ka marr MTI-ja.

Lajme

19/12/2018 13:30

Shala ka thënë se urdhëresa për ndalimin e shitjes së duhanit dhe alkoolit për moshën nën 18 vjeç, është në vazhdën e priroteteve për mbrojtjen e konsumatorit , njofton Klan Kosova.

“Kontrolli i peshës së bukës dhe deklaracionit që kemi bërë nëpër subjekte ekonomike po ashtu dëshmon se konsumatori jonë është i mbrojtur.

MTI ka ndaluar edhe lodrat që kanë rezultuar që janë të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve.

“Ne po punojmë çdo ditë që të mbrojmë konsumatorin tonë, t’i rrimë afër dhe ta kontrollojmë cilësinë produkteve në treg dhe tregun në përgjithësi”, ka thënë Shala në tryezën që u mbajt për “Programin për mbrojtjen e konsumatorëve, të arriturat e vitit 2018, si dhe cilësia e produkteve vendore”.

Ministri bëri të ditur se është shumë e rëndësishme respektimi i të drejtës se konsumatorit dhe se kjo më së miri arrihet kur ligjet e Kosovës janë në përputhshmëri të plotë me direktivat e BE-së, që është edhe Ligji për mbrojtjen e konsumatorit i aprovuar këtë vit.

“Lirisht mund të them se është njëri ndër ligjet më të avancuara ku garanton të drejtat e konsumatorëve në plotni”, theksoi Shala.

Ministri pohoi se dëshirojmë një mbrojtje të drejtë, të plotë, gjithë-përfshirëse dhe adekuate te të drejtave të konsumatorëve, duke ju referuar sferës së shkëmbimit te të mirave materiale.

“Po ashtu në relacion me cilësinë e produkteve dhe shërbimeve, respektivisht shkaqeve, ndikimeve, veprimeve mashtruese, të cilët në përditshmërinë tonë si konsumator, kanë potencial të rrezikojnë dhe dëmtojnë jetën, shëndetin, ambientin dhe familjet tona.

Po ashtu e rëndësisë se veçantë për vendin është mbështetja e prodhimeve vendore që cilësia e tyre të jetë konkurruese jo vetëm në tregun tonë, por edhe në tregjet ndërkombëtare”, tha Shala.