Ministri Rikalo në konferencën kombëtare franceze për ushqim në Paris

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, me ftesë të ministrit francez për Bujqësi, Industri Ushqimore dhe Pylltari, Stéphane Travert, ka marrë pjesë në Konferencën Kombëtare Franceze për Ushqim, e cila është mbajtur në Paris të Francës.

Lajme

24/02/2018 12:24

Në kuadër të kësaj konference, ministri Rikalo, ka prezantuar të arriturat në sektorin e bujqësisë gjatë viteve të fundit, si dhe ka treguar për mbështetjen të cilën është duke e dhënë MBPZHR-ja, me qëllim të avancimit të sektorit dhe përafrimit të politikave bujqësore me ato të BE-së.

 Ministri Rikalo gjithashtu ka zhvilluar takime me homologë të tij nga vende të ndryshme, për të diskutuar me ta për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.

Gjatë këtyre takimeve, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, Kapllan Halimi, ministri ka treguar për planet dhe projektet e ministrisë për vitet e ardhshme, me qëllim të zhvillimit dhe avancimit të mëtejmë të bujqësisë.

Ministri Nenad Rikalo, ka qenë i vetmi ministër i bujqësisë nga vendet e rajonit pjesëmarrës në këtë konferencë.

Ndryshe, Kosova dhe Franca kanë bashkëpunim të vazhdueshëm në bujqësi, me theks të veçantë në shkëmbimin e ekspertizave në verari, blegtori dhe nënsektorë të tjerë. /Lajmi.net/