Ministri Rikalo: Investimet e MBPZHR-së po i fuqizojnë agrobizneset vendore

Rikalo, ka thënë se Ministria e Bujqësisë përmes masave të shumta përkrahëse për  agrobizneset vendore po ndikon që ato të zgjerojnë veprimtaritë e tyre prodhuese dhe përpunuese, gjë që po ndikon edhe në rritjen e prodhimit bujqësor në vend e bashkë me këtë edhe në ndryshimin e bilancit tregtar.

Lajme

17/10/2018 15:34

Me investimet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, agrobizneset vendore po arrijnë të fuqizohen, duke sjellë kështu në treg produkte të cilësisë së lartë sipas standardeve evropiane. Kështu është shprehur sot, ministri i MBPZHR-së, Nenad Rikalo, në hapjen e edicionit të 18-të të Panairit Ndërkombëtar të Agrobiznesit dhe Pijeve “Agrokos”, ku kanë marrë pjesë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave vendorem, transmeton lajmi.net.

Me këtë rast, ministri Rikalo, ka thënë se Ministria e Bujqësisë përmes masave të shumta përkrahëse për  agrobizneset vendore po ndikon që ato të zgjerojnë veprimtaritë e tyre prodhuese dhe përpunuese, gjë që po ndikon edhe në rritjen e prodhimit bujqësor në vend e bashkë me këtë edhe në ndryshimin e bilancit tregtar, thuhet në njoftimin e MBPZHR-së.

“Ne si ministri me politikat tona strategjike jemi të orientuar në rritjen e kapaciteteve të prodhimit dhe në krijimin e kushteve sa më të favorshme për prodhuesit vendorë. Po ashtu, përmes investimeve që po bëjmë në sektorin e bujqësisë po ndikojmë që ky sektor të bëhet gjenerator i zhvillimit ekonomik dhe në këtë rol kyç luajnë edhe agrobizneset”, ka thënë ministri Rikalo.

Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në hapjen e këtij panairi ka theksuar se është shumë e rëndësishme që prodhimet vendore të plotësojnë standardet në mënyrë që të jenë konkurruese në treg.

Produktet bujqësore në këtë panair janë duke i ekspozuar shumë kompani të vendit dhe rajonit, ndërsa ky panair, i cili mbështetet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, KIESA- MTI dhe Komuna e Prishtinës, do të jetë i hapur deri më 19 tetor. /Lajmi.net/