Ministri Lluka flet për Lajmi.net, tregon detaje nga takimi me Bordin dhe Sindikatën e Telekomit

Dikur ishte kompania më fitimprurëse në vend, kurse aktualisht Telekomi po përballet me një krizë financiare dhe duket në prag të falimentimit. Si mundësi për ta përmirësuar këtë gjendje është përmendur edhe zvogëlimi i pagave të punëtorëve të Postës, gjë që është kritikuar nga Sindikata e Punëtorëve të Postës dhe Telekomit.

Lajme

22/05/2018 18:00

Në gjithë këtë situatë me ftesën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka sot është zhvilluar një takim mes tij, Bordit dhe Sindikatës së Telekomit.

Ministri Lluka në një deklaratë për lajmi.net ka bërë të ditur se në këtë takim janë diskutuar të gjitha mënyrat se si duhet të dilet nga kjo krizë që e ka kapluar Telekomin.

Lluka ka theksuar se është vendosur që një takim i tillë do të mbahet edhe në javën e ardhshme.

“Ka qenë një diskutim shumë i mirë, bashkëpunues në përgjithësi dhe jemi duke shikuar të gjitha format dhe hapësirat ku mundemi me ulë shpenzime në të gjitha aspektet, pra shpenzimet operative. Normalisht ka qenë takim që e kam thirrë sot, por e lamë që përsëri me u taku javën e ardhshme. E dimë që në humbje prej 15-20 milionë euro që i ka Telekomi aktualisht ne duhet që ato t’i mbulojmë dhe si t’i mbulojmë, tash jemi duke i analizuar të gjitha pozicionet financiare të gjendjes së Telekomit. Ajo përfshin qiratë, mirëmbajtjen, udhëtimet e panevojshme, mëditjet, përfshinë shumë e shumë gjëra tjera”, ka thënë ministri.

Lluka ka folur edhe për zvogëlimin e pagave. Ai ka thënë se si temë në takim është hapur edhe kjo mundësi, por për detajet do të vendoset nga raporti përfundimtar që do ta marrin në takimin e ardhshëm.

“Normalisht prap po them që e kemi hapur edhe si temë uljen e pagave të mundshme prap nuk po duam me cek sa pasi nuk e dijmë sa. Nëse e shohim në fund, deri në javën tjetër do të kemi një raport përfundimtar se sa janë kursimet maksimale që mund të ndodhin nga të gjitha shpenzimet veç pagave, dhe pjesa e mbetur do të shikohet përmes pagave nëse veç duam ta shpëtojmë Telekomin, kjo ka qenë si konkluzion”, bëri te ditur Lluka për lajmi.net.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik tutje e ka vlerësuar si të vështirë mundësinë që Telekomi të shpëtohet pa i prekur pagat.

I pyetur nëse është përmendur ndonjë grevë eventuale nga Sindikata e punëtorëve, Lluka tha se nuk ka ndonjë vendim për pagat, dhe si rezultat nuk ka as vendim për grevë.

“Nëse ne gjejmë mekanizma për ta shpërtuar Telekomin pa i prekur pagat do ta bëjmë por po e shoh se është e pamundshme. Por për këto ta shohim deri javën tjetër se sa është e mundshme. Për shkak se nuk ka vendim për zvogëlim, normalisht që nuk mundet me pas vendim për grevë. Kështu që ta shohim javën tejtër se qysh po ecë procedura”, theksoi tutje ministri.

Sipas Llukës punëtorët e Telekomit duhet ta kuptojnë realitetin, se Telekomi është në një gjendje të vështirë.

“Javën tjetër e lamë në takim me qenë, në fillim të javës, me  i shiku ato që i biseduam sot. Që ata me e kuptu sitautën reale që është sepse punëtorët në Telekom hala po besojnë se Telekomi është shumë i fortë dhe nuk ka shansë me falimentu, dhe un po them që duhet me prek realitetin”, ka përfunduar Valdrin Lluka.

Ndryshe, mundësinë për ulje të pagave ditë më parë në një konferencë për media, e ka lënë të hapur edhe kryeministri, Ramush Haradinaj. /B.B./Lajmi.net/