Ministri Lekaj dhe kryetari i Klinës bëhen ‘horë’, i rinënshkruajnë memorandumet e qeverisjes së kaluar

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, bashkë me kolegun e tij të partisë, Ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, i kanë ri-nënshkruar memorandumet e ish-kryetarit Sokol Bashota dhe ish-ministrit Lutfi Zharku, duke i prezantuar si punë të reja të tyre.

Lajme

21/04/2018 17:22

Kjo është bërë e ditur në rrjete sociale, nga një faqe e qytetarëve të Klinës, përcjell ORAinfo.

Aty janë publikuar edhe dëshmi që mbështesin këtë gjë, duke i cilësuar si qesharake përpjekjet manipuluese qeverisjes, duke nënshkruar nga dy herë memorandume bashkëfinancimi, pasi që të dyja rrugët tashmë gati janë në përfundim e sipër.

“Rrugët e buxhetuara dhe miratuara në 2017 nga qeverisja e kaluar, bashkë me memorandumet e bashkëfinancimit të nënshkruara nga Sokol Bashota dhe ministri Lutfi Zharku në vitin paraprak, kryetari i tashëm i Klinës, Zenun Elezaj, bashkë me ministrin e ri Pal Lekaj, po i ri-nënshkruajnë dhe po i prezantojnë si të tyre.

Përpjekjet për t`ju hedhur pluhur syve të qytetarëve se gjoja po punohet në Klinë janë neveritëse dhe të ulëta, sepse qytetarët e Klinës kanë aq nivel kulture e inteligjence sa për të mos i gëlltitur këto. Manovrimet e tilla nuk ngjisin, përveç se mund t’ua kujtojnë atyre kohën e “antenave me sharrë” – kur plani i punës dukej se realizohej 200% apo edhe kohen kur “cjapi i kuq … 120 dhi”.

Pra, s’po dinë as çfarë të bëjnë dhe marrëveshjet e vjetra vetëm po i ri-nënshkruajnë.

 E tillë ishte edhe marrëveshja ndërmjet kryetarit Zenun Elezaj dhe ministrit Pal Lekaj për financimin e disa rrugëve në Komunën e Klinës, përkatësisht për asfaltimin e rrugës Qupevë – Ujmirë dhe rrugës Stupë – Vedejë – Zajm në vlerë prej rreth 2.400.000 euro. Do të ishte për t’u vlerësuar një iniciativë e tillë e kryetarit Elezaj sikur të mos ekzistonte një marrëveshje paraprake, më 7 shkurt 2017, e nënshkruar për të njëjtat rrugë nga kryetari i atëhershëm Sokol Bashota, me ministrin Lutfi Zharku.

Është qesharake deri ku arrijnë përpjekjet manipuluese të kësaj qeverisjeje, e cila klinasit po i trajton sikur të ishin “kope”, duke nënshkruar nga dy herë memorandume bashkëfinancimi.
Vjen kryetari i ri i Klinës, vjen ministri i ri i Infrastrukturës dhe duhet të bëhet edhe memorandum i ri. Ai i vjetri nuk vlen më, edhe pse të dyja rrugët tashmë gati janë në përfundim e sipër.

Ky është shembull i keq, që s`do të duhej ta bënte një profesor e doktor shkence.

Marketingu është art në vete i dashur kryetar. Por, ti i nxitur nga dëshira për të reklamuar qeverisjen tuaj lokale, nën ndikimin e drejtorit L.M. i cili është tërësisht i papërvojë dhe i paaftë për përgjegjësinë që i ke dhënë, po bëni vetëm veprime ordinere që ju bëjnë edhe zyrtarisht mashtrues.

Për më tepër, janë 2 milionë euro për investime kapitale që ia ke besuar t’i menaxhojë drejtorit L.M. Sikur ato 2 milionë euro të ishin para të trafikuesve të drogës, atëherë edhe nëse do ia besoje – do të ishte në rregull, sepse ai ka përvojë familjare në këtë fushë, pasi që djali i tij, A.M. për posedim dhe trafikim droge është në burg. Por, janë para të taksapaguesve klinas, të djersës së qytetarëve tuaj, që meritojnë një trajtim dhe menaxhim më të mirë.

Për dokumente e dëshmi të allishverisheve tuaja kryetar, kur është në pyetje interesi i qytetarëve, kemi sa të duash”, thuhet aty.