Ministri Krasniqi merr pjesë në Sallonin Ndërkombëtar të Bujqësisë në Paris

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka udhëtuar sot për në Paris, ku me ftesë të ministrit francez për Bujqësi, Industri Ushqimore dhe Pylltari, Stéphane Le Foll, do të marrë pjesë në edicionin e 52-të të Sallonit Ndërkombëtar të Bujqësisë.

Lajme

19/02/2015 14:10

Në këtë ngjarje të rëndësishme për bujqësinë do të marrin pjesë edhe ministra nga vende të ndryshme të Evropës dhe vendeve tjera, si dhe personalitete e institucione të rëndësishme të fushave të bujqësisë, ushqimit dhe pylltarisë.

Në kuadër të Sallonit, Krasniqi do të marrë pjesë në konferencën e ministrave të ftuar, ku do të flitet për bujqësinë përballë kushteve klimatike, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në mes vendeve të botës rreth kësaj çështje. Gjithashtu ai do të jetë prezent në hapjen e panairit të Sallonit, ku do të prezantohet bujqësia dhe blegtoria franceze.

Krasniqi gjithashtu do të zhvillojë takime me homologë të tij nga vende të ndryshme, për të diskutuar me ta për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen, njofton një komunikatë nga Ministria e Bujqësisë.