Ministri kontrovers grek cilësohet kumarxhi dhe amator në BE

Vijojnë përplasjet mes zyrtarëve evropianë dhe ministrit grek të Financave Janis Varufakis, por këtë herë me tone më të rënda.

Bota

24/04/2015 21:22

Ministrat e Financave të zonës euro kanë lëshuar një lumë fyerjesh me njeri-tjetrin në adresë të Varufakisit, duke e cilësuar atë kumarxhi dhe një amator.

“Një humbës kohe, një kumarxhi, një amator”, janë fjalët me të cilat Varoufakis është cilësuar nga homologët e tij të mbledhur në Riga të Letonisë.

E gjitha kjo vjen për mënyrën se si po e udhëheq ai Greqinë në negociatat me kreditorët ndërkombëtar.

“Ka qenë një diskutim shumë kritik. Bëmë një marrëveshje dy muaj më parë dhe tani besonim se do të mund të merrnim një vendim. Por jemi shumë larg vendimit, ndaj dhe debati ka qenë shumë kritik”, ka deklaruar nga ana tjetër presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem.

“Greqia duhet të bëjë më shumë. Ekziston sensi i urgjencës, grekët e dinë që koha po mbaron, por prilli nuk ka mbaruar. Duhet një marrëveshje globale për listën e reformave para lëshimit të çdo kësti. Përgjegjësia është në duart e grekëve, në interesin e tyre. Në negociatat me ta ka ende shumë probleme të mëdha që duhen zgjidhur”, ka vijuar më tej Dijsselbloem.

Nga ana tjetër presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, në fund të takimit i drejtoi Greqisë një ultimatum duke thënë se koha pa mbaron ndaj Greqia duhet të nxitojë të pranojë kushtet e reja të programit dhe të nisë implementimin e tyre ose në të kundërt rrezikon shumë.