Ministri Jevtiq ua paguan rrymën serbëve me Buxhet të Kosovës

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq, në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerrë vendim për pagesën e rrymës elektrike për disa qytetarë serb, duke u bërë pagesa nga kodet jo adekuate.

Lajme

23/06/2016 13:03

Kjo ministri ka shpenzuar para të buxhetit të Kosovës, për t’ua paguar disa serbëve shpenzimin e energjisë elektrike.

Ky vendim i kësaj ministrie është vërejtur edhe nga Auditori i Përgjithshëm i cili sot ka publikuar raportin për këtë ministri.

“Ministri i MKK-së ka nxjerrë vendime më të cilat janë realizuar dy pagesa të rrymës elektrike nga 2,000€ për qytetarët. Realizimi i tyre ishte bërë nga kategoria ekonomike ‘Komunali’. Sipas ndarjeve buxhetore kjo kategori përdoret vetëm për mbulimin e shpenzimeve të institucionit; dhe pagesa në vlerë 595€ për ‘Furnizim për dru për ngrohje për të kthyerit’ ishte bërë gabimisht në kategorinë e investimeve kapitale, përderisa sipas natyrës ky shpenzim i takon kategorisë subvencione dhe transfero”, thuhet në raportin e Auditorit, shkruan ORAinfo.

Auditori ka vlerësuar si rrezik se paraqitja jo e saktë e të dhënave në pasqyra financiare shpie në një keqkuptim të aktiviteteve financiare të MKK-së.

“Mos raportimi i drejtë zvogëlon efektivitetin e kontrolleve menaxheriale, si dhe ndikon në mbivlerësimin e njërës kategori dhe nënvlerësimit të kategorisë tjetër”.

Auditori ka rekomanduar Ministrin që të siguroj se janë forcuar linjat raportuese dhe stafi menaxhues dhe duhet të mbahet përgjegjës për cilësinë e regjistrimit dhe klasifikimit të saktë të shpenzimeve.