Ministri Ismaili: Pas 18 viteve e kemi hequr listën e pritjes për stentim

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka folur për heqjen e listës së pritjes për stentim dhe efektin ekonomik dhe emocional që ka pasur në popull ky hap. Sipas tij, ky është një lajm i madh i cili u ofron siguri dhe trajtim dinjitoz qytetarëve tanë.

Lajme

18/07/2018 20:46

“Lista e pritjes për stentim, qe 18 vite ka krijuar probleme të mëdha, panikë dhe e kanë rënduar buxhetin e familjeve tona. Janë paguar mijëra euro nga qytetarët tanë nëpër spitalet private. Sot nuk pret më askush. Rastet urgjente trajtohen menjëherë, kurse ato që nuk janë emergjente, u jepet data e saktë që brenda disa ditëve të futen në operim”, ka thënë ministri Ismaili.

Më tej, ai ka shtuar se ky është një lajm i madh dhe kjo është dëshmuar edhe në shifra.

“Më herët Ministria ka paguar 1.8 milion euro në vit për stentime të qytetarëve, ndërsa këtë vit ka paguar diku 20 mijë euro. Por, efektin emocional të këtij suksesi të madh, të heqjes së listës së pritjes për stentim, nuk e kam parë deri më tani. Më kanë ndalë njerëz rrugës për të na përgëzuar për këtë shërbim të ri, pasi që ky problem i ka rënduar shumë qytetarët tanë. Ky fakt, ky gëzim i madh i qytetarëve, na tregon sesa shumë kemi pasur nevojë për këtë shërbim’, ka thënë ministri Ismaili. Më tutje, ai ka thënë se është nderë për të që është ministri i parë i shëndëtësisë për PDK-në pasi që tani pritet ndryshimi i gjendjes reale në teren.

“Është nderë dhe privilegj për mua që jam ministri parë i PDK-së në shëndetësi. Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë që kam dhe pritshmëritë e popullit për ne. Do ta arsyetojmë këtë pritje të tyre me punë dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për ta”, ka thënë ai.