Ministri Ismaili nënshkruan dokumentin që u siguron paga qindra specializantëve

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka nënshkruar sot plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ, përmes të cilit qindra specializantë vullnetarë futen në sistemin e pagesës.

Lajme

07/05/2018 10:36

Përmes politikave shëndetësore, si dhe përmes zbatimit të legjislacionit në fuqi, Ministria e Shëndetësisë parasheh shkollimin specialistik me qëllim të aftësimit në fusha të ndryshme të kujdesit shëndetësor. Me këtë rast, ministri Ismaili tha se me nënshkrimin e këtij dokumenti rregullohet një e drejtë dhe një trajtim i barabartë për kuadrot profesionale.

“Jam shumë i lumtur që sot, pas një pune shumë të madhe që kemi bërë, po i fusim në pagesë qindra specializantë vullnetarë. Duke mbajtur premtimin që kemi dhënë në fillim të mandatit tonë, me rregullimin e kësaj padrejtësie, e cila ka ndodhur për vite me radhë, unë zotohem se kushtet e personelit tonë mjekësor do të përmirësohen vazhdimisht. Përmes këtij plotësim-ndryshimi të Udhëzimit Administrativ, të gjithë specializantët fitojnë të drejtën e tyre për t’u paguar nga shteti dhe të drejtën për t’u trajtuar të barabartë”, tha ministri Ismaili.

Më tej, ai tha se Kosova ka nevojë për kuadrot e saj, andaj, përmes krijimit të kushteve do t’i mbajnë ata në vendin tonë. Sipas analizave të bëra për situatën aktuale në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, numri i kuadrove profesionale shëndetësore në vend është shumë i ulët krahasuar me disa vende të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik, si dhe krahasuar me vendet e rajonit. Prandaj, me qëllim të ruajtjes dhe stimulimit të stafit shëndetësor, sidomos duke marrë parasysh trendin aktual të migrimit të tyre, Ministria konsideron pagesën e specializantëve me vetëfinancim/vullnetar, si çështje me prioritet për vendin. Kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjithëpërfshirëse, duke u mundësuar kështu qytetarëve të Republikës qasje më të lehtë, më të shpejtë dhe më cilësore në shërbime shëndetësore.