Ministri Ismaili flet për arrestimin e dy zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka reaguar pas arrestimit të dy zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie, të cilët dyshohen për përfshirje në veprat penale ‘përvetësimi në detyrë dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Lajme

16/11/2018 17:33

Ismaili përmes një postimi në Facebook, ka thënë se do marrin të gjitha masat për pezullimin e zyrtarëve të dyshuar, përcjell lajmi.net.

“Atë që e kam thënë më herët, po e përsëris prapë. Lufta e jonë kundër korrupsionit dhe krimit është e pakthyeshme, e drejtë, dhe në dobi të qytetarëve”, ka shkruar Ismaili.

Ky është postimi i plotë:

Muaj më parë është njoftuar policia e Kosovës dhe të gjitha organet tjera relevante për dyshimet mbi keqpërdorimin e avanseve në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sot u njoftova për reagimin e Policisë dhe arrestimin e zyrtarëve të ministrisë. Duke mbështetur reagimin e shpejtë të organeve të rendit, edhe ne si institucion do marrim menjëherë të gjitha masat për pezullimin e zyrtarëve të dyshuar.

Atë që e kam thënë më herët, po e përsëris prapë. Lufta e jonë kundër korrupsionit dhe krimit është e pakthyeshme, e drejtë, dhe në dobi të qytetarëve.

Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha organet e drejtësisë për tu ofruar gjithçka që kërkohet që kjo çështje të zbardhet në mënyrë që çdo keqpërdorim i parasë publike të ndalet njëherë e përgjithmonë.