Ministri i ri britanik do të nisë negociatat me BE-në për Brexit

Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se Sekretari britanik për Brexit, Dominic Raab do të zhvillojë negociata më vonë në Bruksel me shefin e Bashkimit Evropian për largimin e Britanisë nga blloku, Michel Barnier.

Bota

19/07/2018 08:25

Raab është emëruar në këtë pozitë pasi David Davis ka dhënë dorëheqje në shenjë proteste ndaj planeve të kryeministres britanike, Theresa May për tregti.

Tani është në përgjegjësinë e Raab që të vazhdojë bisedimet me Barnier.

Ministri britanik ka qenë pjesë e fushatës zyrtare për Brexit, para mbajtjes së referendumit më 2016.

Takimi i tyre pritet të ndodhë derisa Komisioni Evropian është duke udhëzuar shtetet tjera të BE-së të përgatiten për Brexit pa marrëveshje.

Në një draft të Komisionit që ka siguruar BBC-ja, vendet e bllokut paralajmërohen se mosarritja e marrëveshjes mund të ketë ndikim të konsiderueshëm në bizneset evropiane dhe të qytetarët.

Në mesin e pasojave përmenden edhe përçarjet në industrinë e aviacionit dhe se mallrat nga Britania do të jenë subjekt i kontrolleve doganore.