Ministri i kënaqur, pacientët e pakënaqur

Pavarësisht kritikave të shumta për sistemin shëndetësor, Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se një hulumtim i bërë së fundmi tregon se rreth 70 për qind e pacientëve janë të kënaqur me punën e mjekëve kosovar. Por, ndryshe shprehen pacientët.

Lajme

24/11/2013 14:31

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se është shumë i kënaqur me punën e mjekëve në Kosovë, ndërsa akuzon mediat për keqinterpretime.

Pavarësisht kritikave të shumta për sistemin shëndetësor në Kosovë, Agani thotë se një hulumtim i bërë së fundmi tregon se rreth 70 për qind e pacientëve janë të kënaqur me punën e mjekëve kosovar.

Por, se thotë se për cilin hulumtimi është fjala.

“Qytetarët e Kosovës nuk e harrojnë mundin e mjekëve të Kosovës asnjëherë”.

“Rezultatet e një hulumtimi i cili do të publikohet së shpejti dëshmojnë se mbi 70 për qind e qytetarëve të Kosovës, janë shumë të kënaqur me shërbimet që ofrohen nga mjekët e Kosovës, përkundër të gjitha vështirësive”.

Por, të njëjtën gjë nuk e thonë pacientët që kërkojnë shërim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ankesat e tyre nisin me kushtet e rënda brenda QKUK’së e përfundojnë me kritikat ndaj personalit mjekësor.

Fisnik Llausha, një qytetar i mllefosur me sistemin shëndetësor, rrëfen historinë e tij të trajtimit në QKUK.

“Mjekëve u besojmë shumë pak”.

“Ka mjek të mirë, gjithësesi, por është një mangësi, sepse çdo gjë ka kaluar në interes material”.

“Ka mjek të duhur, por që nuk dojnë. Nëse nuk ke para dhe nuk ke të njohur s’do të mund të gjesh ndihmë për shërim adekuat”.

“Ka humbur besimi. Definitivisht besimi ka humbur”.

Ministri Agani, megjithatë, thotë se e vërteta është ndryshe.

Sipas tij, është krijuar një percepcion i gabuar për mjekët kosovar.

“Duhet t’i ballafaqojmë faktet”.

“Është krijuar një percepcion shumë i gabuar publik, se në shëndetësinë kosovare, çdo gjë është duke shkuar keq. Se mjeket nuk janë duke e kryer detyrën e tyre që s’është e vërtetë”.

Ministri, megjithatë demantohet edhe nga një pacient tjetër.

Abedin Rrecaj nga Skenderaj thotë se nuk ka përvojë të mirë me klinikat në QKUK.

Përveç mungesës së barnave, ai thotë se mungon edhe trajnimi i duhur nga ana e stafit mjekësor.

“Në repartin e Kirurgjisë na kanë munguar edhe barnat edhe kujdesi”.

“S’mund të flas keq për kujdesin teknik. Motrat aty ishin të shkëlqyeshme, edhe teknikët medicinal po ashtu, por stafi mjekësor s’më ka pëlqyer”.

 (Kosovapress.com. lajmi.net)