Ministri i Jashtëm gjerman: Hapje e kushtëzuar e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë

Ministri i Jashtëm Gjerman Heiko Maas shpreh hapur mbështetjen për çelje të kushtëzuar të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Lajme

15/06/2018 14:36

Duke folur për “Atlantic Council”, Maas thotë se Shqipëria ka bërë përparim të dukshme “duke kryer reforma ambicioze në gjyqësor”.

“Natyrisht, hyrja në BE kushtëzohet nga vendet që përmbushin kriteret e plotësuara qartë. Kjo nuk është vënë kurrë në dyshim. Fokusi është tek demokracia liberale dhe në një shtet funksional të bazuar në sundimin e ligjit. Disa vende kanë bërë përparim të mirë në këto fusha. Për shembull ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, e cila do të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut në të ardhmen. Shqipëria gjithashtu ka bërë progres me reformat ambicioze në gjyqësor. Kjo është arsyeja pse unë shprehimisht mbështes hapjen e kushtëzuar të negociatave me këto dy vende. Nëse ne nuk shohim perspektivën e tyre të pranimit, të gjitha reformat e tyre do të bëhen asgjë”, është shprehur Maas.

Por ai jep dhe alarmin për BE-në, ku shprehet se nëse nuk ka përparim në procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasojat do të jenë fatale.

“Krijimi i qëndrueshmërisë tek fqinjët tanë duhet të jetë prioritet i politikës së jashtme evropiane. Kjo është veçanërisht për vendet e Ballkanit Perëndimor. Nëse BE nuk arrin të bëjë përparim në procesin e anëtarësimit të këtyre vendeve, dhe ne po diskutojmë ende për këtë çështje, pasojat do të jenë fatale. Për një kohë të gjatë tashmë, fuqitë e tjera, Rusia, Kina dhe vendet e Lindjes së Mesme, që janë me ide krejtësisht të ndryshme të rendit dhe stabilitetit se ato tonat në Europë, kanë kërkuar të mbushin këtë boshllëk”, ka vijuar Maas./Top Channel