Ministri i FSK’së: Nuk jam kompetent t’i komentoj deklaratat e Ambasadës Amerikane

Ministri i FSK’së, Rrustem Berisha ka thënë se nuk është kompetent të komentojë deklaratat e ambasadës së SHBA’së në Kosovë, e cila sapo ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se Qeveria nuk është konsultuar me SHBA’në lidhur me vendimin për miratimin e transformimit të FSK’në në ushtri.

Lajme

13/09/2018 18:02

Rrustem Berisha, në linjën telefonike ne emisionin “Frontal” të Televizionit 7, ka thënë se nuk e ka parë komentin e ambasadës amerikane, e cila tha se Qeveria nuk është konsultuar me SHBA’në lidhur me vendimin për miratimin e transformimit të FSK’së në ushtri.

“Nuk jam kompetent t’i komentoj deklaratat e ambasadës. Nuk e kam pa, dhe nuk mund të them asgjë lidhur me këtë”, tha Berisha.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara përmes një deklarate ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk i kanë konsultuar sa i përket vendimit për miratimin e pakos së projektligjeve për transformimin e FSK’së.

“Nuk jemi këshilluar për çastin e këtij lajmërimi dhe do të na duhet t’i analizojmë projektligjet për ta kuptuar qëllimin dhe efektin e tyre”, thotë ambasada, përcjell Express.

Kjo pako përfshin Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligjin për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Pas votimit në Qeveri, tani ky proces kalon në Kuvendin e Kosovës.