Ministri i Arsimit: Vetëm shujta ka mbetur pa u plotësuar

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka kërkuar nga të gjithë mësimdhënësit në Kosovë që t’i japin kohë për trajtimin dhe plotësimin e të gjitha kërkesave. Ai tha se nga të gjitha kërkesat, vetëm ajo për shujtën ka mbetur pa u plotësuar.

Lajme

13/01/2015 13:43

Greva e cila ka filluar sot në mësimin parauniversitar në gjitha shkollat e Kosovës, është komentuar edhe nga Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili tha se për grevë janë duke biseduar më gjitha sindikatat. 

Ai tha se nga kontrata kolektive të gjitha kërkesat janë plotësuar, përpos shujtës për mësimdhënësit.

Këto komenti i pari i arsimit i bëri gjatë vizitës që pati në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, me ambasadorin e Britanisë së Madhe Ian Cliff.

“Sa i përket grevës Ministria e Arsimit është duke biseduar me Sindikata. Ne kemi marrë të gjitha veprimet e nevojshme për plotësimin e kontratës kolektive dhe nga gjitha kërkesat vetëm një s’është plotësuar kërkesa për shujtë, por jemi duke punuar që edhe kjo kërkesë të merret në konsideratë në momentin e caktuar nga Qeveria dhe unë ftoj të gjithë mësimdhënësit që të kenë mirëkuptim”.

“Qeveria është e re ka vetëm një muaj, pra të kenë mirëkuptim dhe të japin kohë për trajtimin dhe plotësimin e të gjitha kërkesave të Sindikatave”, u shpreh Bajrami.

I pyetur se deri ku ka arritur marrëveshja për kontratën kolektive, Bajrami u shpreh se edhe për shujtë janë duke punuar që kjo kërkesë të merret në trajtim.

“Praktikisht nga të gjitha kërkesat e kontratës kolektive ka mbetur ende e pa plotësuar vetëm kontrata, pra pjesa që ka të bëjë vetëm më shujtën por ne jemi duke punuar bashkë me Sindikatën, bashkë me Qeverinë që edhe kjo kërkesë të merret në trajtim nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Financave dhe në një moment të caktuar të shohim edhe mundësitë e implementimit të saj”, thotë ai.