Ministri i Arsimit e emëron në Këshillin Drejtues të UP-së ish punëdhënësen e tij

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka emëruar anëtarët e rinj në Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Lajme

07/02/2018 16:07

Anëtarë të rinj të këtij Këshillit janë Ardiana Bunjaku, Drita Shoshi, Laura Kryeziu dhe Fadil Osmani.

Sipas ministrit, ky vendim është marrë me qëllim të funksionalizimit të Këshillit Drejtues të UP.

Dy prej anëtarëve të rinj kanë lidhje me ministrin Bytyqi, si dhe me Qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Anëtarja e emëruar, Ardiana Bunjaku ka qenë edhe drejtoreshe ekzekutive, përkatësisht punëdhënëse e Shyqiri Bytyqit ne SCAAK.

Në vitin 2007 është certifikuar si kontabilist (SCAAK), në 2008 si ligjërues i lartë (SCAAK) dhe po ashtu, më 2008 është certifikuar si auditor (SCAAK). Ndërkaq, Ardiana Bunjaku, e ka udhëhequr ShKÇAK-në që nga themelimi i saj, shkruan lajmi.net.

Anëtarja tjetër, Laura Kryeziu, ka qenë kandidate për Parlamentin e Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia e Haradinajt.

Këshilli Drejtues i Universitetit është organi kryesor qeverisës i Universitetit. Ai ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit dhe është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.

Këshilli Drejtues, kolektivisht, i raporton Ministrisë, dhe është përgjegjës për shfrytëzimin e duhur e në mënyrë efektive të fondeve që Ministria ose ndonjë burim tjetër publik ia ka ndarë Universitetit.

Këshilli Drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë me të drejtë vote. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë emëron katër anëtarë me të drejtë vote dhe ata emërohen sipas dispozitave të Ligjit mbi Arsimin e Lartë, ndërsa Senati zgjedh pesë anëtarë të Këshillit Drejtues me të drejtë vote nga personeli akademik i Universitetit.

Rektori dhe sekretari i përgjithshëm i Universitetit janë anëtarë ex-officio të Këshillit Drejtues pa të drejtë vote. /Lajmi.net/