Ministri Hasani: Nuk do të ketë ngritje të çmimit të bukës

Çmimi për miellin dhe bukën nuk do të ndryshoj. Kështu ka bërë të ditur, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik.

Lajme

07/11/2017 15:52

 

Hasani i është kundërpërgjigjur pyetjes së ish ministres të këtij dikasteri, Hykmete Bajramit, se pse nuk është marrë ende vendim për grurin, raporton Ekonomia Online.

“Me ligjin Antidamping lejohet të merret një masë e tillë, kemi marrë një çmim minimal prej katër cent. Natyrisht se para se të vendosim kemi ftuar shoqatën e mullisëve dhe kemi kërkuar zotim prej tyre se nuk do të ketë ngritje të çmimit. Në vendim e kam lënë një mundësi që kjo çështje të ndiqet sa i përket lëvizjes të çmimit. Nuk guxojmë të marrim masë edhe ndaj grurit për shkak se mund të rritet çmimi i bukës. Përveç që na ka reaguar ministri serb, kemi pasur edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës që kanë reaguar për miellin. Dikujt ndoshta po i prek në xhep, mirëpo ne jemi të vendosur që t’i marrim të gjitha veprimet që mbështetin prodhimin vendor dhe që është në interes të vendit”, theksoi Hasani.

Në anën tjetër, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami shpreson se projektet e mbetura në gjysmë do të vazhdohen prej ministrit të Tregtisë dhe Industrisë.