Ministri Hasani në panairin “Expokos”: Vendimet që po i marrim, tregojnë qartë se kemi prioritet zhvillimin e vendit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se Qeveria e Kosovës çdo ditë e më shumë po punon për ta mundësuar tregtinë e lirë dhe me më pak barriera.

Lajme

08/05/2018 15:28

Hasani gjatë hapjes së panairit ndërkombëtar “Expokos” në Prishtinë ka thënë se nga marrja e mandatit si ministër po punojnë edhe në anën e legjislacionit që Kosova të jetë një treg konkurrues.

“Është mirë kur organizohen panaire të tilla, sepse janë prezent shumë kompani të huaja dhe kjo nënkupton se mund të krijohen ura bashkëpunimi.  Panaire të tilla njohin kompanitë në mes veti, dhe ne si Qeveri e Kosovës po bëjmë çdo ditë e më shumë punë për ta mundësuar tregtinë e lirë dhe t’i heqim barrierat, tarifore dhe jo tarifore që Kosova me të vërtet të jetë një treg konkurrues”, ka theksuar ministri Hasani.

Ministri ka thënë se vendimet që i ka marr Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, tregon qartë se prioritet është zhvillimi i vendit.

“Vlen të theksohet se pas marrjes së mandatit, unë si ministër, jam interesuar shumë që të orientohemi edhe sa i përket legjislacionit, ta orientojmë Kosovën në një shoqëri prodhuese, sepse Kosova ka nevojë të prodhojë edhe më shumë. Çdo ditë me vendimet që po i marrim si ministri po iu krijojmë edhe më shumë lehtësira bizneseve dhe kjo tregon qartë se kemi prioritet zhvillimin e vendit. Heqja e doganës dhe akcizës sa i përket vijës së prodhimit dhe pjesëve rezervë, tregojnë se jemi të përkushtuar që ndërmarrjeve tona t’iu japim hapësirë që të jenë konkurrente në tregun vendor”.

Ministri Hasani ka përmendur edhe përpirësit që i ka Kosova dhe kushtet që i ofron si vend për investitorët e huaj.

“Kosova ka përparësi shumë, duke u nisur prej moshës së re, infrastrukturës moderne që është krijuar dhe po krijohet. Të gjitha këto janë parakushte që të investohet në Kosovë.  Vlen të theksohet se raporti i të Bërit Biznes që është publikuar nga Banka Botërore, Kosova ka qenë njëri ndër vendet më reformatore sa i përket të bërit biznes, ku ka dal si vendi i dhjetë. Kjo tregon se kemi bërë mjaftueshëm progres, dhe ne këtë duhet ta shfrytëzojmë”, ka theksuar Hasani.

Hasani ka thënë se do të vazhdojnë reformat edhe në legjislacion që Kosova të bëhet vend edhe më ideal për të bërë biznes.

“Edhe gjatë këtij viti do t’i vazhdojmë reformat edhe me legjislacion. Kemi proceduar me Ligjin për Shoqëri Tregtare, por është kthyer për shkak të kuotës gjinore, po besoj se shumë shpejt Kuvendit do ta përfundojë dhe do të ketë vërtet progres në renditjen e të bërit biznes”.

Ministri ka bërë thirrje që kompanitë e huaja të vijnë në Kosova dhe ta shfrytëzojnë mundësin që ofron Ligji për Investime Strategjike.

“Unë po shpresoj që edhe gjatë këtij viti do të kemi progres, e kemi jetësuar Ligjin për Investime Strategjike, kërkojmë nga investitorët e huaj që janë të interesuar të vijnë në Kosovë. Shumë shpejt do ta mbajmë një konferencë ndërkombëtare sa i përket investitorëve, dhe i kemi 11 zona të interesit që mund të vijnë të investojnë”, ka thënë ministri Hasani.