Ministri Hamza premton zhvillim ekonomik dhe barazi në tregun kosovar

Ministri i Financave, Bedri Hamza, është takuar me përfaqësues nga Odat Ekonomike të Kosovës. Në këtë takim është diskutuar për mundësitë e përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes në Kosovë.

Lajme

19/09/2017 14:55

Ministri Hamza, tha se qëllimi i këtyre takimeve është bashkërendimi i aktiviteteve në mënyrë që të shtyhen proceset përpara.

Ai premtoi se fokusi i ministrisë që drejton do të jetë krijimi i politikave fiskale me qëllim të krijimit të vendeve të punës, raporton Ekonomia Online.

“Siç e dini bazat e sistemit tatimor kanë filluar në 2008 dhe ka pasaur vazhdimisht ndryshime por edhe në të ardhmen do të ndodhin ato me qëllim të përmirësimit të ambientit të biznesit ku ministria e financave i ka dhënë mbështetje sektorit privat duke ditur që ku do të ndikoj në rritje ekonomike dhe në zhvillim të qëndrueshëm”.

“Gjithçka është diskutuar deri më tani sa i përket reformave fiskale sigurisht se ne e kemi në konsideratë dhe sot jam këtu që të pres propozime të reja mbi këtë dhe çka mund të bëjmë më shumë me qëllim të krijimit të ambientit më të mirë biznesor edhe për investime të jashtme por ne mbetemi të përkushtuar të zhvillojmë investimet tona brenda”.

“Është themeluar fondi për garantimin e kredive dhe jemi të përkushtuar që fondi të rritet që të gjitha bizneset që ende nuk kanë arritur të krijojnë kapital ky fond do të jetë në mbështetje të tyre. Çdo gjë që është e mirë ne nuk do ta ndryshojmë dhe çdo gjë që ka nevojë për ndryshim do ta ndryshojmë por përmes politikave fiskale ne nuk do të krijojmë pabarazi në treg. Unë ju siguroj që gjatë këtij viti do të bëjmë ndryshimet e para sa i përket ndryshimit të ambientit për biznes”.

Ai tha rritja e pagave nuk do të bëhet vetëm në sektorin publik por edhe në atë privat që do të bëhet si rezultat i rritjes së produktivitetit lehtësirat për të bërë biznes do të mundësojnë edhe rritjen e pagave në këtë sektor.

Kryetari Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se kompletimi i legjislacionit që të mundësoj  hyrjen  në fuqi të pakos fiskale 2.0, kjo nuk do të krijonte pabarazi në treg, por është mase e nevojshme.

Ai foli edhe për punën e Doganës e ATK-së, raporton EO.

“Një vlerësim për punën e ATK-së së dhe Doganës që kemi një dialog mjaft konstruktiv dhe ajo çka vlen të ceket është numri shumë i vogël i ankesave shumë i vogël për këto dy institucione. Si shqetësim i joni është se vendimi për rritjen e pagave në sektorin publik  do të rriste hendekun e pagesave në mes të sektorin privat dhe atë publik”, tha Zeka.

Por ndryshe mendon kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini. Sipas tij, me pakon fiskale janë mashtruar bizneset.

“Bizneset janë mashtruar me pakon fiskale 2.0 dhe kërkoj nga ju që kjo të vazhdoj dhe të plotësohet me kërkesat e tjera të bizneseve sepse politikat ekonomike kanë krijuar tkurrje ekonomike duke ulur investimet, duke humbur besimin e qytetarëve në këtë vend prandaj duhet që pa kushte të hiqen të gjitha tatimet për lëndën e parë dhe teknologjinë prodhuese. Fiskalizimi është problem tjetër ku kemi shumë biznese që nuk operojnë me arka fiskale dhe kjo krijon pabarazinë e madhe si dhe rritja e informalitetit”.

“Këshilli konsultiv që në qeverinë e kaluar që nuk ka funksionuar fare gjithashtu kërkojmë nga ju rifunksionalizimin e Bordit të Pavarur për Ankesa. Gjithashtu bizneset kanë kërkuar qe të shtyhet afati i ligjit për faljen e borxheve”, tha ai.