Ministri Hamza: Kosova do ta përmbyll vitin 2017 me një rritje ekonomike të lart

“Koha kur po mbahet kjo konferencë, është mjaft inkurajuese, me vetë faktin se prospektet për rritje ekonomike për regjionin dhe Evropën në përgjithësi, duket të jenë mjaft më optimiste se më parë. Këtu po i referohem raportit më të fundit të FMN-së ‘Regional Economic Outlook’, ku ndër të tjera, thotë se ‘Rimëkëmbja në Evropë ka fituar në shpejtësi ku rritja reale e GDP-së për 2017 pritet të jetë 2.4%, që është mjaft më e lart se 1.7% në 2016’”, tha sot ministri i Financave Bedri Hamza në Konferencën Ndërkombëtare: “Qasja në Financa, Kreditimi Bankar dhe Sektorët Bankarë në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore”, të bashkëorganizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Banka Kombëtare e Austrisë dhe Banka Investive Evropiane.

Lajme

14/11/2017 12:18

 

Me këtë rast ministri Bedri Hamza  tha se organizimi i këtij forumi ka të njëjtin qëllim – të flasim e të diskutojmë për çështjet që janë me rëndësi për vendet tona, dhe duke u mbështetur në përvojat dhe ekspertizat tona, të punojmë për reforma të mëtutjeshme, në funksion të rritjes më të shpejtë dhe të qëndrueshme.

Sipas tij, në kuptimin e trendit të rritjes ekonomike, edhe vendi ynë, Kosova duket se do të përmbyll vitin 2017 me një rritje mjaft të lart dhe kjo rritje presim të vazhdoj edhe në vitet në vijim.

“Për sa i përket stabilitetit fiskal, Qeveria e Kosovës si gjatë viteve të kaluara, dhe në vitet në vijim, do të vazhdoj me politikat e saja buxhetore të kujdesshme, për tu siguruar se deficiti buxhetor mbetet në nivelet e pranueshme; që përbërja strukturore e buxhetit të jetë adekuate, dhe që niveli i borxhit publik të jetë i menaxhueshëm. Ndërsa, për sa i përket reformave strukturore, ne kemi bërë një punë mjaft premtuese, gjë që është reflektuar me raportin më të fundit të Bankës Botërore ‘Të Bërit Biznes’. Sipas këtij Raporti, Kosova renditet në top-dhjetëshin e vendeve më reformatore në Botë, dhe ka kërcyer për 20 vende të renditjes botërore, duke arritur kështu në vendin e 40”, shtoi Ministri Hamza.

Ai gjithashtu bëri të ditur se sa i përket reformave në drejtësi” ne kemi ndërmarrë hapa mjaft konkret në këtë drejtim, dhe duke qenë se kjo fushë është shumë me prioritet për ne, kemi rritur buxhetin në masë të konsiderueshme për implementim të reformave”.

“Lidhur me qasjen në financa, Qeveria me ndihmën e donatorëve ka themeluar Fondin për Sigurimin e Kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe tani më ky fond është operacional dhe ka ndërtuar një portfolio mjaft inkurajuese. Gjatë viteve në vijim, ne do rrisim kapitalin e këtij institucioni, ashtu që ti mundësojmë një përkrahje më të madhe për sektorin bankar”, shtoi Ministri Hamza.

Ministri Bedri Hamza bëri të ditur se edhe pse vetëm që disa javë më parë e ka lënë Bankën Qendrore dhe falë komunikimit dhe bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me Guvernatorin, është mirë i informuar mbi ecuritë në këtë sektor. Ai gjithashtu shprehi bindjen se  sektori financiar në Kosove do të vazhdoj të jetë një nga mbështetësit kryesor të rritjes ekonomike.