Ministri gjerman, Maas: Turpërohem për urrejtjen ndaj të huajve

Shtetet që e kundërshtojnë pranimin e azilkërkuesve „nuk kanë kuptuar asgjë nga ideja evropiane“, thekson Ministri i Drejtësisë.

Bota

22/07/2015 15:57

Ministri Federal i Drejtësisë së Gjermanisë, Heiko Maas (SPD), kërkon që të pushohet me rezistencën ndaj Ligjit të Migrimit. “Unë s’dua ta mësoj Unionin, por të gjithë ne kemi përgjegjësi ta gjejmë një përgjigje të qëndrueshme dhe afatgjatë në çështjen e pranimit dhe të integrimit“, thotë Maas për gazetën „Bild“.

Politikani i SPD-së kritikon qëndrimin e CSU-së: “Zërat e çjerrur si ata nga Bajerni, që iu veshin të gjithë refugjatëve keqpërdorim të së drejtës për azil, e acarojnë debatin në mënyrë të papërgjegjshme”.

Ai kërkon nga tërë Evropa të pranojë përgjegjësinë e saj. „Refugjatët në tërë vendet duhet të shpërndahen në mënyrë të arsyeshme“. Shtetet që e kundërshtojnë këtë „nuk kanë kuptuar asgjë nga ideja evropiane“, thekson Ministri i Drejtësisë.

“Refugjatët e rinj mirë të integruar mund të jenë një përfitim për vendin tonë”, thekson Maas./Albinfo.ch/