Ministri Gashi uron Gjakovën e Krasniqin për medaljet e arta në Holandë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, uron xhudistet Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi për medaljet e arta të fituara në Grand Prix që po mbahet në Hagë të Holandës.

Sport

17/11/2017 21:56

Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi kanë fituar medalje të arta në Grand Prix që po mbahet në Hagë të Holandë.

“Fitoret e Norës ndaj gjermanes Theresa Stoll në kategorinë 57kg, respektivisht Distrias kundër spanjolles Estrella Lopez Sheriff, në kategorinë 52kg, janë një sukses i jashtëzakonshëm për xhudistet tona dhe ua lehtësojnë rrugën për në Lojërat Olimpike të Tokios që do të mbahen më 2020”, ka thënë Gashi, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“I uroj Norën, Distrian, trajnerin Kuka, drejtuesit e Federatës së Xhudos, për suksesin e arritur. Puna e juaj duhet të jetë model edhe nxitje për të gjithë ne”, theksoi Gashi.

Ministri gjithashtu u shpreh se ngadhënjimi i dy xhudistëve është një lajm i mirë jo vetëm për xhudon kosovare e për sportin, por është një sukses që e mirëpret e tërë Kosova.

“Sukseset dhe fitoret e xhudisteve tona jo vetëm që na gëzojnë por edhe na bëjnë të ndjehemi të gjithëve krenarë. Tashmë ky sukses është një konfirmim se rezultatet që kemi në sportin e xhudos nuk janë një rastësi por se kemi ndërtuar një traditë dhe jemi model edhe për vendet tjera shumë më të mëdha dhe më të fuqishme ekonomikisht se Kosova”, u shpreh ai.

Gashi përmes këtij urimi shpreh përkushtimin e tij dhe të MKRS-së se sporti, federatat sportive dhe sportistët do të përkrahen edhe në të ardhmen në bazë të rezultateve që ata do të arrijnë. “Është obligim i ministrisë që të përmirësojë e plotësojë infrastrukturën ligjore e fizike për sportistë në mënyrë që të krijohen lehtësira për sportistë që ata të ushtrohen e garojnë për të prezantuar veten dhe Kosovën sa më cilësisht dhe me rezultate kulmore, nënvizoi ministri.