Ministri Gashi tregon kur do të hidhet gurëthemeli i Stadiumit Nacional

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi ka dhënë një detaj interesant rreth Stadiumit Nacional të Kosovës.

Lajme

25/01/2019 18:05

Ai ka dhënë një lajm të madh për “Dardanët”, pasi ka zbuluar kohën se kur do të hidhet gurëthemeli i arenës kombëtare.

Në emisionin “Frontal” ministri ka dhënë detaje për ndërtimin e Stadiumit Nacional, i cili thuhet se do të jetë me 30 mijë ulëse.

“Më 28 janar të këtij viti përfundon faza e parakualifikimit për 6 kompani që janë në garë për projektin ideor, për ta fituar ofertën. Bëhet fjalë për kompani me renome ndërkombëtare, që kanë sjell projekte mjaft të mira. Ka prej tyre nga Gjermania, Hungaria etj. Pastaj do ta kemi të qartë për ta hartuar projektin se sa kohë na nevojitet. Afati për hartim të projektit do të jetë 3 deri në 6 muaj, pra sa më i shkurtër, në mënyrë që ne në qershor ose korrik ta hedhim gurëthemelin e stadiumit, i cili do të jetë me 30 mijë ulëse, me standarde të larta evropiane”, ka thënë ministri Gashi, në “T7”, përcjell lajmi.net.

“Jam shumë optimist se do ta hedhim gurëthemelin gjatë verës. Secila kompani që e fiton projektin, ka pak rëndësi. Me rëndësi është që ta sjell projektin sa më shpejtë. Vendi ku do të ndërtohet Stadiumi Nacional është zonë industriale, ku pritet të ndërtohet një stadium me objekte përcjellëse, stadium ndihmës, hotele ku mund të akomodohen ekipet, por edhe mysafirë të ndryshëm, por edhe ndonjë fabrikë përreth. Pra, një kompleks i madh”,ka thënë ndër të tjerash ministri.

Ky është stadiumi në të cilin pritet që Kombëtarja e Kosovës t’i zhvillojë ndeshjet e saja si vendase.

Një stadium që ka 30 mijë ulëse do të ishte i nevojshëm për Kombëtaren, pasi suksesi i djelmoshave ka nxitur interesim të madh për qytetarët e Kosovës. /Lajmi.net/