Ministri Gashi: Themelimi i BKK-së sot perceptohet si ngjarja më e rëndësishme në kulturën shqiptare të Kosovës

Ministri Gashi u zotua se Qeveria e Kosovës nëpërmjet MKRS-së do të vazhdojë ta përkrahë zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe të bibliotekave në përgjithësi, ashtu siç edhe ka përkrahur shumë projekte për Bibliotekën, për librin e për kulturën në përgjithësi.

Lajme

23/11/2018 12:41

Sot, Biblioteka Kombëtare e Kosovës e ka shënuar ditëlindjen e saj. Biblioteka ka shënuar 74 vjetorin e themelimit. Në ceremoninë festive të shënimit të përvjetorit të themelimit të institucionit kryesor të librit në vendin tonë kanë marrë pjesë shumë personalitete.

Në ceremoni ka marrë pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili vlerësoi se është kënaqësi të festohet përvjetori i themelimit të BKK-së, duke reflektuar edhe mbi rolin e çmuar të këtij institucioni.

“Është për t’u vlerësuar iniciativa që ndërmerr BKK-ja për t’u përballur me sfidat e që përkrahet vazhdimisht prej anës sonë si ministri”, tha mes tjerash ministri Gashi.

“Për t’u siguruar që bibliotekat të luajnë në mënyrë efektive rolin e tyre në zhvillimin e qytetarëve të mirë informuar përmes qasjes së lirë dhe të pakufizuar në informacion, shërbimi duhet të financohet dhe drejtohet në mënyrë adekuate nga profesionistë të trajnuar me mbështetjen e personelit të duhur. Vetëm nëpërmjet stafit të trajnuar profesional, mund të sigurohen standardet e përmirësuara të shkrim-leximit dhe angazhimit demokratik që janë themeli i një shoqërie të begatë të shekullit 21”, vuri në theks ministri duke shtuar se me digjitalizimin e vazhdueshëm të kulturës po bëhet një integrim më i madh i institucioneve kulturore dhe bibliotekare.

“Bibliotekat kështu do të bëhen institucione të kujtesës si galeritë e artit dhe muzetë. Kjo sigurisht do të thotë se roli i bibliotekarëve do të ndryshojë”, paralajmëroi ministri duke potencuar se po vazhdon përpjekja dhe angazhimi në ngritjen e profilit të bibliotekës duke mëtuar të krijohet një besim për këtë institucion, për punën e vlefshme të tij.

Ministri Gashi u zotua se Qeveria e Kosovës nëpërmjet MKRS-së do të vazhdojë ta përkrahë zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe të bibliotekave në përgjithësi, ashtu siç edhe ka përkrahur shumë projekte për Bibliotekën, për librin e për kulturën në përgjithësi, transmeton lajmi.net.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tashmë është e përkushtuar në mbështetjen për realizimin e fazës së dytë të projektit “Kujtesa e Kosovës – Rrëfime nga 100 pleq e plaka” që ka grumbulluar 100 intervista të të moshuarve mbi 80-vjeç për të pasuruar historinë e shkruar të Kosovës të shekullit të fundit”, vuri në pah ministri dhe tha se edhe më tutje e kemi rritur kapacitetin e shërbimeve të Bibliotekës Kombëtare, duke mbështetur sigurimin e klimakomorëve që kanë mundësuar kushte të favorshme për shfrytëzimin e hapësirave të bibliotekës nga lexuesi.

“Kushtet infrastrukturore aktuale të Bibliotekës Kombëtare kërkojnë vëmendje të shtuar për të siguruar mbarëvajtjen e duhur të veprimtarisë së bibliotekës si dhe konservimin e materialit që grumbullohet”, kujtoi ministri Kujtim Gashi. Ai u shpreh se “investimet që ne bëjmë dhe mbështesim për bibliotekën, gjithmonë shpaguhen me rolin që ato luajnë për edukimin dhe të ardhmen e vendit tonë”.

“Në kontekstin e sotëm, themelimi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në vitin 1944, mund të perceptohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës shqiptare të Kosovës”, ka vlerësuar ministri i MKRS-së, Gashi duke nënvizuar se ky institucion qendror bibliotekar gjatë këtyre 74 viteve vazhdon të grumbullojë dhe të ruajë kulturën dhe trashëgiminë e këtij shteti. /Lajmi.net/