Ministri Gashi takoi homologun maqedon

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë, Oliver Spasovski, ka pritur në një takim homologun e tij nga Kosova, Bejtush Gashin, me të cilin ka biseduar për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme për lehtësim dhe përmirësim të qarkullimit të udhëtarëve në pikat kufitare ndërmjet dy vendeve.

Lajme

14/07/2018 15:57

Bashkëpunimi i tanishëm ndërmjet dy ministrive është vlerësuar si i suksesshëm, si në nivelin politik ashtu edhe në atë operacional, thuhet në njoftimin e kabinetit të Spasovskit, për të shtuar se dy bashkëbiseduesit janë dakorduar se interesi i të dy ministrive është të promovojnë dhe të thellojë bashkëpunimin e policisë me qëllim që të forcohet lufta kundër krimit të organizuar dhe formave tjera të veprimtarisë kriminale.

Ministri Spasovski, thuhet më tej, prezantoi përvojat e deritanishme të Njësitit për Kontroll të Brendshëm dhe Standarde Profesionale, i cili ka për qëllim të zbulojë sjelljen e paligjshme dhe joprofesionale të policëve dhe punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ai vuri në dukje se Njësiti bashkëpunon me organizatat civile dhe Avokatin e Popullit, për çka njofto homologun e tij kosovar me modelin e ri të krijimit të mekanizmit të jashtëm të pavarur për kontroll policor.

Ministrat u dakorduan që në periudhën e ardhshme të bëhen vizita të përbashkëta dhe takime në nivele ekspertësh, me qëllim të përballjes së përbashkët me sfidat globale të sigurisë.