Ministri Gashi: Fuqizimi i rinisë, fokusi ynë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në kabinetin e tij përfaqësues të organizatës World Vision në Kosovë. Në këtë takim mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe organizatës World Vision u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi.

Lajme

11/12/2018 16:05

Qëllimi i këtij memorandumi është angazhimi i ndërsjellët i MKRS-së dhe WVK-së në zbatimin e strategjive kombëtare që kanë në fokus te rinjtë. Organizata World Vision në Kosovë angazhohet që sipas drejtimeve strategjike të saj, të zbatojë Programin e Rinisë dhe Programin e Fuqizimit Ekonomik të Rinisë, të cilat janë në përputhje me objektivat e strategjive kombëtare.

Po ashtu sipas këtij memorandumi, World Vision bashkëpunon me partnerët kombëtarë e lokal dhe institucionet shtetërore për zbatimin e programeve të saj në lidhje me mirëqenien dhe zhvillimin e të rinjve në këto komuna të Kosovës: Prizren, Rahovec dhe Suharekë, Gjakovë dhe Malishevë, Lipjan dhe Graçanicë, Mitrovicë, Vushtrri dhe Ferizaj.

Ministri, Kujtim Gashi, u shpreh shumë i kënaqur me nënshkrimin e kësaj marrëveshje. Ai tha se kjo marrëveshje përkufizon qëllimin dhe vullnetin e dyanshëm për të bashkëpunuar dhe sqaroi: “Ky bashkëpunim do të zgjas për një periudhë  pesë vjeçare dhe do konsistojë në zbatimin e disa projekteve në fushën e  Fuqizimit të të Rinjve, Zhvillimit Ekonomik”.

Ai po ashtu theksoi se “projektet që do të realizohen në mënyrë specifike mbështesin fuqizimin e të rinjve të moshave 18-24 vjeç nëpërmjet trajnimeve dhe aktiviteteve që synojnë përmirësimin e aftësive për jetën, krijimi i një mjedisi mbështetës për të rinjtë me anë të rritjes së ndërgjegjësimit të komuniteteve për rëndësinë e pjesëmarrjes aktive dhe domethënëse së të rinjve në jetën sociale dhe ekonomike të një komuniteti, e po ashtu edhe pajisjen e të rinjve me njohuri, aftësi dhe përvoja përmes edukimit jo formal, që do të zgjerohen edhe në zonat rurale për të gjetur dhe mbajtur punësimin ose të fillojnë biznesin e tyre”.

Ndërkaq, Vjollca Racaj, nga organizata World Vision në Kosovë, fillimisht falënderoi ministrin Gashi për pritjen e tij dhe për nënshkrimin e këtij memorandumi duke e cilësuar si shumë të rëndësishme dhe kontribuuese në avancimin e të rinjve. Ai/ajo tha: “Kjo marrëveshje mes Ministrisë dhe organizatës tonë, sot u nënshkrua në frymën e besimit, respektit dhe të  përgjegjësisë së ndërsjelltë dhe hap mundësinë e realizimit të shumë projekteve për të rinjë përmes të cilave do të ndikohet  ndërgjegjësimi dhe ngritja e kapaciteteve të të rinjve. Po ashtu, përmes projekteve që priten të realizohen në pesë vitet e ardhshme në kuadër të kësaj marrëveshjeje të nënshkruar sot, synohet që të rinjtë të përgatiten me aftësi teknike që rrisin mundësitë e tyre në tregun e punës, nëpërmjet fitimit të aftësive teknike në një profesion të rëndësishme për kontekstin ekonomik lokal”. /Lajmi.net/