Ministri i FSK-së merr mbështetjen e ambasadorit zviceran të NATO-s

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës (MFSK), Haki Demolli priti sot në një takim zyrtar ambasadorin e Zvicrës në NATO, në Bruksel, Christian Meuwly i cili së bashku me ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang, kryesuan delegacionin nga Zvicrra.

Lajme

25/05/2016 17:12

Siç thuhet në komunikatë, ministri Demolli, në takim ka falënderuar ambasadorin e Zvicrës në NATO, Meuëly për ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë Qeveria e Zvicrës për Kosovën dhe në kuadër të saj edhe për FSK-në, si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që kanë dy shtetet në të gjitha fushat.

Po ashtu, ministri Demolli me këtë rast e ka njoftuar ambasadorin Meuwly me të arriturat e përgjithshme të FSK-së: zhvillimet aktuale, për procesin e transformimit të FSK-së, ku ka qenë i angazhuar DIRI (Iniciative e rishikimit të Institucioneve të Mbrojtjes) nga SHBA, pastaj Ekipet Këshilluese të NATO-s (EKN) në MFSK, Ekipet Këshilluese Ndërlidhëse të NATO-s (ENKN) në FSK dhe partnerë të tjerë ndërkombëtar.

Gjithashtu, Ministri Demolli bisedoi edhe për letrën që kryeministri i Qeverisë së Kosovës Isa Mustafa i ka dërguar NATO-s, për mbështetjen e saj, për transformimin e FSK-së dhe të avancimin e mëtutjeshëm të partneritetit të Kosovës me NATO-n.

Në Fjalën e tij ministri Demolli siguroi mysafiret nga Zvicra se Forcat e armatosura të Kosovës (FAK) nuk do të përbëjë kërcënim për fqinjët.

Ai ka thënë se ajo do të jetë forcë që synon anëtarësimin në NATO, forcë që një ditë do të jetë pjesë e misioneve paqësore kudo që e kërkon nevoja.

Ndërsa, ambasadori i Zvicrës në Selinë e NATO-s, në Bruksel, Meuwly shprehi kënaqësinë e tij, për pritjen në Ministrinë e FSK-së, si dhe premtoi për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.

Ai tha se Zvicra ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe do të vazhdojë të përkrah Kosovën në integrimet Euro-Atlantike.

Në takim morën pjesë edhe shefi i kabinetit të ministrit Latif Leka dhe drejtori i Ekipi Këshillues të NATO-s në MFSK zoti Dominic Braithawaite.