Ministri Bytyqi: Me këtë buxhet të vogël, arsimi nuk është prioritet

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, para anëtarëve të komisionit për Arsim prezentoi në mënyrë të përgjithshme linjat buxhetore për vitin 2018.

Lajme

13/12/2017 17:27

Ai theksoi se përveq rritjes 20% nga buxheti i vitit të kaluar i ndarë për këtë sektor, prapë se prapë ky buxhet mbetet i vogël që kjo fushë të jetë prioritet i qeverisë.

Ministri Bytyqi, iu referua në vija të trasha linjave të ndara buxhetore. Ai bëri të ditur se buxheti i miratuar në parim për vitin 2018 për sektorët që ai udhëheq, është mbi 54 milionë euro.

Pas prezantimit të ministrit, anëtarët e komisionit shtruan një varg pyetjesh dhe ngritën problematika që hyjnë në fushëveprimtari të kësaj ministrie, si: ndërtimi i shkollave të reja, ndërtimi i objektit në Fakultetin e Shkencave Natyrore, mungesa e kampusit në universitetin ”Kadri Zeka” në Gjilan, Ligjin për punëtorët arsimorë të viteve të 90-ta etj. Po ashtu u shtrua nevoja e stafit mbështetës në shkolla, për psikologë dhe pedagogë.

Bytyqi u përgjigj pyetjeve të deputetëve, duke dhënë sqarimet e nevojshme për të gjitha çështjet e ngritura që bien në fushëveprimtarinë e kësaj ministrie.

Në mbledhjen e Komisionit ka prezantuar projektbuxhetin edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili tha se këtë vit ministria që ai drejton ka rritje të buxhetit prej 17 përqind, krahasuar me vitin e kaluar. Ai tha se planet për këtë ministri kërkojnë më shumë buxhet për realizimin e projekteve, andaj edhe kërkoi rritje shtesë, lidhur me mbulimin e pagave për krijues dhe performues.

Prioritet, sipas ministrit Gashit, i është dhënë themelimit të një grupi punues për hartimin e strategjisë për rini, si dhe krijimit të një fondi rinor. Po ashtu, Gashi theksoi rëndësinë e krijimit të Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore , i cili do t’i mbikëqyrte të gjitha monumentet dhe asetet kulturore.

Anëtarët e komisionit shtruan pyetje lidhur me çështjen e teatrit, investimeve kapitale për renovimin e stadiumeve etj., në të cilat ministri dha sqarimet e tij.