Ministri Arsim Bajrami premton autonomi për universitetet

Paraardhësi i tij Ramë Buja u akuzua për shkelje të autonomisë së Universitetit Hasan Prishtina, duke urdhëruar pranimin e rreth një mijë studentëve, familjarë të kategorive të dala nga lufta. Por ministri i ri i Arsimit, Arsim Bajrami, premton se universiteteve publike në vend, do t’u sigurojë autonomi substanciale.

Lajme

13/12/2014 18:57

Ministri i ri i Arsimit, Arsim Bajrami ka thënë se gjatë mandatit të tij do të angazhohet për krijimin e konsensusit politik dhe shoqëror lidhur me rëndësinë e arsimit dhe shkencës.

Bajrami po ashtu ka thënë se do të punoj që të këtë progres për arsimin dhe shkencën kosovare. Ai në një postim në Facebook, ku ka shpalosur disa prej prioriteteve të tij, ka thënë se do të ketë autonomi substanciale për universitetet.

Komenti i plotë i ministrit Bajrami:

Në sektorin e arsimit kemi mjaft shumë probleme dhe besoj kjo tashmë është e qartë për të gjithë. Sektori i arsimit është sfera më e rëndësishme shoqërore, prandaj jam plotësisht i vetëdijshëm për peshën e pozitës së Ministrit të Arsimit dhe i kuptoj përgjegjësitë dhe vështirësitë mjaft serioze që na presin përpara.

Përgjatë punës sime do të angazhohem për krijimin e konsensusit politik dhe shoqëror lidhur me rëndësinë e arsimit dhe shkencës, për nevojën e trajtimit të sektorit të arsimit si një prioritet themelor për zhvillimin e vendit, angazhim që do të duhet të reflektohet edhe në peshën që do t’i jepet arsimit dhe shkencës në ndarjen e buxhetit vjetor qeveritar. Do të mundohem të mobilizoj të gjitha kapacitetet në synimin që të shënojmë progres për arsimin dhe shkencën kosovare. Kjo detyrë nuk është e lehtë aspak, por mbetet e vetmja shpresë dhe mundësi për ta realizuar vizionin për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Unë zotohem për transparencë në veprim dhe komunikim, si dhe përgjegjshmëri të plotë në funksionimin e zyrave të administratës së MAShT, si dhe në procesin e shpenzimit të mjeteve publike për zhvillimin e sistemit të arsimit.

Duke qenë edhe vetë mësimdhënës universitar pothuajse për tri dekada jam i bindur dhe i përkushtuar në zotimin për autonomi substanciale të universiteteve tona. Gjykoj që autonomia universitare është thelbësore në rritjen e cilësisë në universitetet tona. Ne do të angazhohemi që me masa konkrete të mbështesim universitetet të kenë autonomi më të madhe, jo vetëm në programet mësimore, por edhe në administrimin e buxheteve, në mënyrë që universitetet t’i përdorin në mënyrë sa më efikase burimet e kufizuara materiale që zotërojnë.

Si Ministër i Arsimit, i lutem secilit, nxënësve dhe studentëve, prindërve, mësimdhënësve dhe profesorëve, institucioneve relevante, që të kryejnë detyrën me përgjegjësi dhe profesionalizëm. Jam i bindur që mund të ja dalim vetëm nëse arrijmë që gjithë së bashku të angazhohemi dhe të japim kontributin tonë. Sfidat që kemi përpara nuk janë aspak të lehta, shqetësimet janë të mëdha, prandaj kemi nevojë për përkrahjen e secilit