Ministrat serbë kërkojnë hise më të madhe në komisionin për Trepçën

Kryeministri Isa Mustafa në një konferencë për media, pas themelimit të Komisionit për Trepçën, ka thënë se Qeveria do ta gjejë zgjidhjen më të mirë për Trepçën. Sipas tij, në projektligjin për Trepçën do të kyçen të gjitha palët e interesuara – nga udhëheqja e Trepçës, punëtorët, sindikata dhe ekspertët që e njohin fushë.

Lajme

15/03/2016 10:58

“Qeveria e Kosovës do të gjejë zgjidhjen më të mirë për Trepçën. Kemi informata nga AKP në lidhje me kërkesat dhe borxhet që pretendohet që ka Trepça”, ka thënë Mustafa para gazetarëve.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të bëjë përpjeke që në këtë proces të kyçen të gjitha palët e interesuara, raporton Gazeta Express.

“Kemi biseduar me udhëheqjen e Trepçës, sindikatën, punëtorët dhe ekspertët që e njohin mirë këtë fushë”, ka thënë Kryeministri.

Kurse sa i përket kundërshtimit nga tre ministra serbë, Mustafa ka thënë se kanë biseduar me palën serbe të cilët kanë kërkuar që të kenë një prezencë më të madhe në këtë komision.

“Unë kam biseduar me ministrat serbë, i kemit trajtuar çështjet e caktuar dhe kanë kërkuar që të kenë një prezencë më të madhe në këtë Komision”, ka shtuar Mustafa.

I pyetur nëse Trepça do të jetë në bisedimet me Serbinë në Bruksel, ai ka theksuar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi Trepça është vetëm e Kosovës.

“Trepça assesi nuk do të shkojë në Bruksel, nuk do të bisedojmë për pronat e Kosovës me askënd. Ajo është pronë e Kosovës edhe sipas pakos së Ahtisaarit. Ne jemi të interesuar që të ketë një proces gjithëpërfshirës në hartimin e projektligjit për Trepçën. Edhe serbët do të jenë të përfshirë në këtë proces dhe do të ndihmojnë në hartimin e projektligjit. Ky do të jetë në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotshme ka formua një komision, i cili do të merret me hartimin e projektligjit për Trepçën. Komisioni ka 16 anëtarë, ndërsa në krye të tij është caktuar ministri Blerand Stavileci.

Vendimet e Komisionit do të merren me konsensus, kurse ligji do të përgatitet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.