Ministrat Hoxhaj e Ismajli pasnesër në Beograd

Dy ministra të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe me gjasë edhe Fadil Ismajli, pasnesër do të marrin pjesë në konferencë për Bashkëpunim Rajonal, në Beograd të organizuar nga Komisioni Evropian. 

Lajme

21/10/2014 13:09

Edhe pse Republika e Kosovës, vazhdon të mos pranohet nga Serbia, dy ministra të saj, ai i Punëve të Jashtme dhe i Ekonomisë, do të marrin pjesë, të barabartë përkrah kolegëve të tyre nga Ballkani Perëndimor në Konferencën e Ministrave të Jashtëm dhe Ekonomisë të organizuar nga Komisioni Evropian më 23 tetor në Beograd. 

Takimin në Beograd i cili ka për qëllim zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik në Ballkan do ta hapë Stefan Fule, komisioner për zgjerim i BE-së, kanë bërë të ditur burime të lajmi.net në Ministrinë e Jashtme të Kosovës.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe me ministrin e Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismajli, i cili nuk e ka mohuar pjesëmarrjen në Konferencën e Beogradit, por ka thënë se për këtë do të dalin me një njoftim sot gjatë ditës.

Në këtë takim, si Kosova ashtu edhe Shqipëria do marrë pjesë me nga dy ministra, ndërsa ata do të priten nga Ivica Daçiq ministër i Jashtëm i Republikës së Serbisë, ka thënë ky burim.

Takimi i Beogradit, është në kuadër të nismës për bashkëpunim rajonal të iniciuar nga Kancelarja gjermane Angela Merkel, javë më parë në Berlin.