Ministrat e qeverisë Haradinaj zotohen për rritjen e sigurisë në trafik

Viti që po vjen duhet të jetë vit i sigurisë në trafikun rrugor, është konkluzion i Këshillit për Siguri të Trafikut Rrugor, ku pjesë morën ministri i Transportit Pal Lekaj, ai i Brendshëm, Flamur Sefaj, i Drejtësisë, Abelard Tahiri, shefi i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Lajme

29/12/2017 12:04

 

Pas takimit që zhvilluan, ku paraqitën rekomandimet e tyre për arritjen e këtij qëllimi, në konferencë për media dolën ministri Lekaj dhe drejtori i PK-së, Shpend Maxhuni, që nënvizuan se duhet bërë më shumë punë në terren, që siguria në trafik të rritet.

Ministri Lekaj theksoi nevojën që ky këshill të jetë funksional, duke shtuar se megjithëse është formuar qysh në vitin 2008, takimin e parë e ka zhvilluar tek në vitin 2016.

Ndërsa, drejtori i policisë Maxhuni deklaroi se meqë institucioni që drejton ka rol fort të rëndësishëm në menaxhimin e trafikut rrugor, duhet shtuar numri i personelit dhe pajisjeve, që puna të ketë rezultate më të larta.

Ai tha se megjithë përpjekjet e policisë, numri i aksidenteve është rritur për 22.4 për qind në raport me vitin paraprak, ndërsa shkaktarët kryesorë janë manipulimi i pasigurt, mos ruajtja e distancës si dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet rrugore. /Lajmi.net./