Minatorët e Trepçës s’ndalen, kërcënojnë me protesta masive

Sindikata e minatorëve të Trepçës po kërcënon me protesta masive.

Lajme

19/06/2018 21:48

Në njoftimin për media të dërguar pak minuta më parë, minatorët kërkojnë nga menaxhmneti i Trepçës dhe Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria që të merren parasysh vërejtjet në draft statutin e ndërmarrjes, të bëra nga sindikata e punëtorëve.

“Nga greva paralajmëruese një orëshe e datës 18.06.2018 dhe 19.06.2018 të të gjithë të punësuarve të Ndërmarrjes Trepça, të përkrahur nga Sindikata e Minatorëve dhe Shoqatat Sindikale të njësive tjera të Trepçës si dhe nga vete Menaxhmenti i Trepçës kërkohet në mënyrë recidive nga Komisioni Parlamentar për Zhvillimin Ekonomik i Kuvendit të Kosovës dhe nga Qeveria e Kosovës që deri me datë 25.06.2018 të marrë parasysh vërejtjet e propozuara në Draft Statutin e Ndërmarrjes nga ana e Sindikatës dhe punonjësve të Trepçës, në të kundërtën situata mund të eskaloj me Grevë të përgjithshme dhe deri në protesta masive”, thuhet në njoftimin e sindikatës së minatorëve të Trepçës.

Mirëpo, sot (e martë), ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në një deklaratë për lajmi.net e ka cilësuar vendimin për grevë si të ngutshëm.

“E para është shumë e ngutshme nga të gjitha anët me marrë masa, pasi Statuti i Trepçës ka shkuar në Parlament, pra në Komision Parlamentar kanë vendosur me kriju një gru punues që me i shqyrtu të gjitha kërkesat në mënyrë të ngdalshme, me iu dhanë kohë. Ne si qeveri punën e Bordit e kemi përcjellur në Parlament. Tash Parlamentit i mbetet me i inkorporu ose jo ato kërkesa. Kish me qenë mirë që edhe Sindikata me prit edhe me pak, me pa çka po ndodhë, në mënyrë që të mos punojë edhe Komisioni nën presion të kërcënimeve”, ka thënë ministri Lluka për lajmi.net.

Sipas ministrit benefitet sociale të punëtorëve rregullohen me ligj, e jo me Statut.

“Besoj se secila parti politike ka vullnet politik mi jap benefitet sociale të punëtorëve, e sidomos minatorëve. Pasi kjo punë është folur qysh nga lufta, dhe askush nuk i kundërshton. Tash të gjitha benefitet duhet të rregullohen me ligj, e jo me Statut”, thotë Lluka.

Për kërkesën e punëtorëve se nuk janë përfshirë të gjitha kërkesat e tyre në Statut, Lluka deklaroi se kjo është punë e Komisionit Parlamentar.

“Pjesa tjetër që nuk janë përfshi të gjitha asetet e nevojshme, është punë e Komisionit Parlamentar që duhet me i shqyrtu me kujdes, me shiku studimin e fizilibtetit, dhe nuk duhet të ketë lëshime pasi është shumë domethënëse se çfarë asete përfshien e çfare jo në Trepçë”, tha tutje ministri i Zhvillimit Ekonomik.

Ndryshe Draft-Ligji për Trepçën është dërguar nga qeveria në Kuvend, ku po vazhdon të diskutohet. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

Ministri Lluka: Greva në Trepçë e ngutshme, benificionet e minatorëve bëhen përmes ligjit