Mimoza përsëri në Gjakovë

Mimoza Kusari-Lila dha dorëheqje të mërkurën nga dy pozitat që mbante në Qeverinë e Kosovës. Ajo nga sot i përkushtohet garës për Kryetare të Gjakovës. Deklaroi se po shkon në Gjakovë për të fituar.

Lajme

02/10/2013 13:20

Një ditë para nisjes së zyrtare të fushatës zgjedhore, Mimoza Kusari-Lila dorëzoi dy pozitat e rëndësishme që mbante tash gati katër vjet, në Qeverinë e Kosovës.

Prej të enjtes, ajo do t’i përkushtohet me gjithë fuqinë garës për Kryetare të Gjakovës, vendlindjes së saj, ku ka përballë një kandidat të fortë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetarin aktual të qytetit të saj, Pal Lekajn.

Të mërkurën, ajo mori pjesë për herë të fundit në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, në të cilën mori lavdata nga Kryeministri Hashim Thaçi, si punëtore e zellshme, e sukseshme dhe reformatore.

Deri sot ajo ishte Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, pozita këto që i takojnë AKR’së, si pjesë e Qeverisë.

Mimoza Kusari-Lila deklaroi, në një konferencë shtypi, se po shkon në Gjakovë për të qëndruar atje – si Kryetare dhe se nuk ka synim rikthimin e saj në Qeveri, edhe në rast se nuk realizohen pritjet e saj.

“Natyrisht, jam e bindur në fitore, por mbi të gjitha jam e bindur në përkrahjen e qytetarëve të komunës së Gjakovës, për dëshirën e tyre për ndryshim dhe  që Gjakovës t’i kthehet funksioni për zhvillim ekonomik”.

Ajo mori pjesë për herë të fundit edhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

“Dëshiroj t`ju informoj se kjo do të jetë mbledhja ime e fundit e KKZHE që kryesohet nga unë si ZëvendësKryeministre dhe Ministre. Siç dihet në opinion publik, sot është dita ime e fundit në këtë pozitë, pasi që dorëhiqem për të vazhduar garën në nivelin lokal”.

“Jam shumë e lumtur, anëtarë të KKZHE`së, që kemi qenë në gjendje së bashku të funksionalizojmë këtë Këshill të politikave ekonomike, të vazhdojmë reformat ekonomike, shumë të domosdoshme në Kosovë, që të ngrisim bashkëpunimin në sektorin publiko privat si dhe të fuqizojmë koordinimin e politik bërjes ekonomike”.

“Gjatë këtij një viti e gjysmë dhe gjatë këtyre dymbëdhjetë takimeve ky Këshill ka organizuar aktivitetet e institucioneve shtetërore në përmirësimin e ambientit të biznesit dhe investimeve në Republikën e Kosovës”.