Mimoza nuk solli fonde

Daut Haradinaj fton qytetarët e Gjakovës që të votojnë Pal Lekaj dhe jo ata që “nga ekzekutivi nuk kanë lejuar fonde për projekte për këtë qytet”, duke aluduar në Mimoza Kusari-Lilën.

Lajme

18/10/2013 17:30

Deputeti i AAK’së, Daut Haradinaj dhe Kandidati i kësaj partie për Kryetar të Gjakovës, Pal Lekaj ishin sot në shoqërinë e të rinjve të kësaj Komune.

Në këtë tubim elektoral, Haradinaj kërkoi votën e qytetarëve të Gjakovës për Kandidatin Pal Lekaj dhe tha se njerëzit e Gjakovës në Qeveri nuk kanë përkrahur asnjë projekt për këtë qytet, duke aluduar për Kandidaten Mimoza Kusari-Lila, raporton Radio Gjakova.

“Kjo Qeveri asnjë projekt s’e ka sjell në Gjakovë. Është fakt se njerëzit e Gjakovës në ekzekutiv nuk kanë lejuar fonde për projektet e ndryshme nacionale që vijnë këtu”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq Kandidati i AAK’së për Gjakovë, Pal Lekaj, në tubimin me të rinjtë e këtij qyteti u  tha atyre  se punësimi i tyre mbetet pika kryesore në programin e tij.

“Ne do të fokusohemi në zhvillimin ekonomik, në mënyrë që të krijojmë vende të reja të punës për rininë e Gjakovës.”

“Ju e dini që ne ju kemi mbështetur, vetëm brenda këtij viti u punësuan mbi 400 të rinj dhe ne do të vazhdojmë të mendojmë për ju”, tha Lekaj.