lajmi.net

Mimoza çel në Gjakovë

Mimoza Kusari shpall fitoren në garën për Kryetar të Gjakovës. Thotë se ka fituar vota për ndryshim.

Lajme

01/12/2013 22:04

Kandidatja e Aleancës Kosova e Re, Mimoza Kusari, del fituese në garën për Kryetar të Komunës së Gjakovës.

Kusari, e cila ka mundur kundërshtarin e saj Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se me këtë rezultat shihet se fituese ka dalë ajo.

“Aleanca e Re e Kosovës ka marrë 51.28% të votave, ndërsa  AAK ka marrë 47%. Me këtë rezultat Aleanca Kosova e Re del fituese”.

Pranë Kusarit ishte edhe Kryetari i AKR’së, Behxhet Pacolli, i cili tha se gjakovarët kanë vendosur që të fitojë ndryshimi në qytetin e tyre.

“Një përshëndetje e posaçme shkon për heroinën e kësaj mbrëmje, zonja Kusari. Jam i bindur se me këtë ka fituar Gjakova, ka fituar ndryshimi, dhe tani do t`ia fillojmë punës”.

 

Mimoza çel në Gjakovë

Zv.Presidentja e AKR’së i është rikthyer me krejt forcën Gjakovës së saj. Ajo është e bindur se pas 3 nëntorit, Pal Lekaj nuk do të jetë më Kryetar. Mimoza Kusari–Lila thotë se me ose pa balotazh, fitorja është e saj.

Lajme

23/09/2013 06:54

Mimoza Kusari-Lila i është rikthyer plot shpresë betejës për Gjakovën. Përballë ka rivalin e njëjtë – Pal Lekajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për të cilin thotë se e ngriti pushtetin mbi manipulimin e votave, në vitin 2009, kur ajo gjithashtu ishte pjesë e garës.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë tha për lajmi.net se tani është e bindur se në Gjakovë rrethanat kanë ndryshuar, dhe se ka ardhur koha që më 3 nëntor drejtësia të vihet në vend.

“Nga gara e sivjetme pres që, më në fund, drejtësia të vihet në vend. Natyrisht, pres fitore në Gjakovë duke i marrë parasysh të gjitha elementet e fushatës: programit që kam për Gjakovën, përkrahjes e cila ekziston në Gjakovë, fatkeqësisë e cila qëndron në Gjakovë nga një qeverisje shumë e keqe për shumë vite me radhë”.

“Shpresojmë që më në fund të përmbushet gjithë plani zhvillimor për Gjakovën, të cilin asnjëra prej partive në pushtet dhe atyre që qeverisën me Gjakovën nuk arritën ta realizojnë”.

Zv.Kryeministrja e Kosovës dhe Zv.Presidentja e AKR’së thotë se më 3 nëntor – me apo pa balotazh – ajo do të fitojë.

“Me ose pa balotazh, besoj që do të fitoj. Mund të jetë edhe në raundin e parë, nëse çdo gjë shkon siç duhet me ruajtjen e votës, për arsye se në Komunën e Gjakovës ka qenë dhe mbetet problem manipulimi i votës. Mbi bazën e manipulimit ka fituar në vitin 2009 kryetari aktual”.

Mediat kanë raportuar gjatë ditëve të fundit për marrëveshje ndërmjet Ramush Haradinajt dhe Hashim Thaçit që PDK ta mbështesë Lekajn, në rast balotazhi. PDK e ka përgënjeshtruar lajmin, ndërsa Kusari –Lila lajmet e tilla para fushatës i quan trillime.

“Nuk do të doja të komentoja për koalicionet e partive tjera. Ne jemi të sigurt që fitorja e AKR’së është bindëse dhe e thellë për Komunën e Gjakovës. Prandaj, partitë tjera natyrisht që duhet të gjejnë mënyra për t’i realizuar qëllimet e tyre, por nuk ka informata të konfirmuara”.

“Nuk e di nëse ekzistojnë pazare të cilat janë jozyrtare. Zyrtarisht, edhe PDK’ja e ka mohuar mbështetjen për AAK’në. Por, ndoshta kur dikush ndihet në krizë, ose në rrezik, atëherë edhe fillon me trillime për marrëveshje të tilla”.

Pal Lekaj, rivali kryesor i Ministres Kusari-Lila, në një bisedë për lajmi.net javën e kaluar, e ka akuzuar atë se si Ministre e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka bërë asgjë për Gjakovën.

Kusari- Lila ka një përgjigje. I kërkon debat për Gjakovën, e jo për nivelin qendror të qeverisjes.

“Këto janë komente elektorale. Në fund të fundit, dihet se pushtetet janë të ndara në pushtetin lokal dhe pushtetin qendror, prandaj secili mbahet përgjegjës për përgjegjësitë të cilat i ka”.

“Unë kam ardhur që ta sfidoj z. Lekaj këtu në Komunë, siç kam bërë edhe në vitin 2009. Mirëpo, sistemin nuk e ka parë si sfidë. Dihet si është manipuluar vota”.

“Ne mund të flasim për komunën. Nëse ai është i interesuar për të zhvilluar debat për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë – edhe këtë mund ta bëjmë. Por, jo në fushatë zgjedhore të zgjedhjeve lokale”.

 

LM