Milorad Dodik do ta emërojë këshilltar regjisorin kontrovers serb

Milorad Dodik ka vendosur që ta emëroj si këshilltar regjisorin kontrovers Emir Kusturica.

Lajme

16/10/2018 16:00

Kryetari i Republikës Serbe dhe anëtari i porsaemëruar serb i Kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës Milorad Dodik ka deklaruar se veprimi i parë i tij në Sarajevë do të jetë emërimi i regjisorit kontrovers Emir Kusturica për këshilltar dhe ndryshimi i Rregullores së Kryesisë dhe vendosja e flamurit të Republikës Serbe në ndërtesën e këtij organi.

Dodik ka thënë për gazetën serbe “Novosti” se kabineti i tij si anëtarit serb i Kryesisë do të jetë në “Sarajevën lindore” (qytetin Pale, i cili gjendet në territorin e Republikës Serbe) dhe se atje do t’i kryej detyrat.

“Kur të thirren takimet në Kryesi të Bosnjës dhe Hercegovinës, do të shohim. Nëse nuk do të jetë flamuri i Republikës Serbe në Kryesi, seancat do të mbahen me ndihmën e linkut”, ka thënë Dodik.

Në pyetje të gazetarit se a pret presion nga dy anëtarë tjerë të Kryesisë përkitazi me anëtarësimin e BeH në NATO, Dodik ka thënë se kjo nuk vjen në konsiderim.

Siç ka thënë, ai mendon t’i propozojë anëtarëve tjerë të Kryesisë vendimin e tij që të kërkohet nga BE që Bosnja dhe Hercegovina ta merr statusin e kandidatit pa marrë parasysh në gjendjen e cila mbretëron atje, sepse ky status “do ta stabilizonte gjendjen”.

“Ky është rast për BE të tregojë se angazhohet që BeH të jetë anëtare e BE. Kjo duhet të shikohet si kërkesë e jo si shantazh”, ka thënë Dodik.