Milito: Tevez e meritoi ftesën për Botëror

Diego Milito insiston se Carlos Tevez e meritoi të ftohej për Botëror nga Përfaqësuesja e Argjentinës, pas paraqitjeve mbresëlënëse që i bëri sezonin e fundit me Juventusin në Serie A.

Sport

26/05/2014 22:15

Diego Milito ka mbetur i shokuar kur e ka kuptuar se Carlos Tevez është lënë jashtë nga skuadra e Argjentinës, pas paraqitjes impresionuese në sezonin që përfundoi.

Ylli argjentinas e ndihmoi Juventusin ta fitonte titullin e kampionit në Itali me 19 gola, por emri i tij nuk u pa në listën e publikuar nga Alejandro Sabella, për Botërorin e Brazilit.

“Po, Carlitos është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ai e ka vërtetuar këtë kudo që ka shkuar. Ai është një fitues dhe nuk kisha dyshim për paraqitjet që do t’i bënte në Itali”, deklaroi Milito për Sony, kur u pyet për ish bashkëlojtarin e tij tek Albiceleste.

“Carlitos e meritonte të ishte në ekipin e Sabellas. Nëse më pyesni, mendoj se e ka merituar të shkonte në Botëror”, vazhdoi ai.

“Mirëpo, mendoj se ky është vendim i trajnerit dhe ne duhet t’i mbështesim djelmoshat që do të shkojnë në Brazil për ta përfaqësuar vendin tonë dhe duhet të jemi të gjithë së bashku për Argjentinën, që të fitojë sërish”, përfundoi sulmuesi i Interit.