Milioneri i trafikimit të drogës që e portretizon vetën si shitës i akulloreve

Naser Kelmendi dëshiron që ta portretizojë veten si person të thjeshtë, ndërmarrës që ka pasur prona të vlefshme dhe një fabrikë të akullores si dhe njeri me miq në poste të larta në Bosnjë e Hercegovinë. Por në realitet ai është udhëheqës i trafikimit të drogës që ka fituar miliona euro. 

Lajme

22/09/2014 13:33

Bazuar në aktakuzën 49-faqëshe të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ai është udhëheqës i trafikimit të drogës që mes viteve 2000 dhe 2012 ka fituar miliona duke kontrabanduar heroinë, ecstasy, speed dhe droga tjera përmes një rrjeti që lidhte Afganistanin dhe Turqinë me Bashkimin Evropian. 

Shtatë nga nëntë pikat e aktakuzës kanë të bëjnë me operacionin e drogës që udhëhiqte Kelmendi. Prokurorët thanë se ai operacion ishte efektiv dhe se hetimet e tyre “kanë zbuluar se ai dhe djemtë e tij kanë prona me vlerë prej miliona eurosh në Bosnjë, Mal të Zi, Kosovë dhe gjetiu.” 

Dy pikat tjera të aktakuzës e ngarkojnë Kelmendin se kanë përgatitur komplotin, së bashku me anëtarë tjerë të grupit të krimit të organizuar, përfshirë ish-Ministrin e Mbrojtjes të BeH dhe kandidatin aktual për kryetar të vendit Fahrudin Radonqiq, për ta vrarë mafiozin rival – Ramiz ‘Celo’ Delaliqin në vitin 2007. 

Kelmendi po mbahet i burgosur në Kosovë qe më shumë se një vit, në pritje të gjykimit i cili pritet të fillojë në tetor, në po të njëjtin muaj kur Radonqiqi shpreson të zgjedhet Kryetar i BeH. 

Prokurorët kanë kërkuar që Kelmendi të mbahet në paraburgim për t’ia parandaluar largimin, ndikimin tek dëshmitarët apo shkatërrimin e dëshmive. 

Aktakuza vë në pah një sërë ngjarjesh në të cilat përfshihen disa dhjetëra persona nga disa kontinente e të cilat shtrihen në hapësirë kohore prej më shumë se një dekade. 

Pjesëmarrësit e këtyre ngjarjeve tregojnë inovacion dhe kreativitet në zgjidhjen e problemeve të shumta që u janë shfaqur gjatë bartjes së sasive të mëdha të mallrave të kontrabanduara mes vendeve të ndryshme. 

Për shembull, në pikën 3 përmenden ngjarje nga viti 2000, kur dëshmitarët thonë se e kanë ditur se Kelmendi “është person me shuma enorme parash” i cili mund t’u sigurojë atyre heroinë të pastër. Prokurorët e përshkruajnë Kelmendin në këtë pikë të aktakuzës si “një person tejet të kujdesshëm… në majë të piramidës së kontrabandimit të drogës dhe aktiviteteve tjera kriminale në regjionin e Ballkanit e edhe më gjerë.” 

I biri i Kelmendit, Besniku 31-vjeçar, mohon këto pretendime duke thënë për PRKOK/CIN se babai i tij nuk ka kurrfarë lidhje me tregtinë e drogës dhe se po përndiqet për arsye politike nga Kryetari i BeH Bakir Izetbegoviq, rival i mikut të Kelmendit. 

Kësisoj edhe është vendosur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara si trafikant i drogës, thotë i biri i tij. “Më besoni, e tërë kjo është lojë politike. E çka ka lidhje Naseri me politikën?”, transmeton Gazeta Jeta në Kosovë, një shkrim të Organized Crime and Corruption Reporting Project. (Kliko KËTU për artikullin e plotë)