Miliona pajisje Android rrezikojnë të sulmohen

Ekspertët kanë dhënë alarmin për një krisje në sistemin e sigurisë në telefonat Android, të cilët mund të vihen nën kontroll nga “hakerët” vetëm përmes një MMS.

Auto & Tek

27/07/2015 23:54

Në të vërtetë, ju nuk keni nevojë që ta hapni MMS-in, por mjafton që ta pranoni atë. Nga kjo krisje rrezikojnë miliona telefon Android. Ky lajm është dhënë nga kompania e sigurimeve të telefonave “Zimperium”.

Në momentin kur pranoni MMS, aktivizohet një kod i cili iu lejon sulmuesve që të kenë kontroll të plotë mbi pajisjen Android, përfshirë të dhënat, kamerën etj.

Sipas “Zimperium”-it, nga ky sulm rrezikohen 95% e pajisjeve Android, që me një llogaritje i bie rreth 950 milionë të tillë, shkruan topchannel.

Sipas kërkuesve, sulmuesve iu nevojitet numri juaj i celularit, tek i cili do të dërgojnë MMS-in. Rreziku është se juve mund t’ju vijë MMS gjatë kohës kur flini, dhe hakerët mund t’ju marrin të dhënat pa e kuptuar ju, ndërsa të nesërmen mund të vazhdoni ditën normalisht.

Google ka thënë se ka pranuar një informatë të tillë dhe tani gjithçka është rregulluar. Kompania ka kërkuar nga përdoruesit që të marrin përditësimet e fundit, pasi shumë të tillë akoma nuk e kanë bërë këtë gjë.