Miliona humbje nga hapësira ajrore

Hungaria vazhdon të menaxhojë dhe të përfitojë nga hapësira ajrore e Kosovës. Sipas disa përllogaritjeve, në mungesë të menaxhimit të kontrollit ajror në vit, vendi ynë i humb 10 deri në 12 milionë euro.

Lajme

11/03/2014 10:18

Themelimi i Agjencisë për Shërbime të Navigacionit Ajror do t’ia mundësojë Kosovës kontrollimin e hapësirës ajrore. Kjo agjenci do të themelohet me hyrjen në fuqi të Ligjit për navigacionin civil, i cili shumë shpejt do të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

Sipas përllogaritjeve, në mungesë të menaxhimit të kontrollit ajror në vit, vendi ynë i humb 10 deri në 12 milionë euro.

Avdi Kamerolli, nga Ministria e Infrastrukutrës, ka thënë se me këtë ligj ministria kërkon që nga kompania publike të bëhet transformimi në agjenci. Kamerolli po ashtu ka thënë se aktualisht kompania, e cila funksionon si ndërmarrje publike, kulla e veçantë nga pjesa e koncesionimit të Aeruportit Ndërkombëtar të Prishtinës i realizon 2.5 milionë euro të hyra nga taksat.

“Gjatë këtij viti nga taksat aktuale ata e kanë paraparë t’i realizojnë 3.1 milionë euro të hyra, duke u bazuar në rritjen e taksave, por rritje të taksave nuk do të ketë dhe kështu që gjatë këtij viti ka të hyra 2.5 milionë euro”, ka thënë Kamerolli.

Ai po ashtu ka thënë se për çdo vit ka pasur rritje të sektorit të aviacionit civil dhe rritje të udhëtarëve.

“Gjatë vitit 2013 në ANP kanë frekuentuar 1 milion e 600 mijë udhëtarë”.

Hykmete Bajrami, anëtare e Komisionit për buxhet dhe financa, i ka njoftuar anëtarët e komisionit se ka pasur mundësi të bisedojë me përfaqësuesit e pjesës së kompanisë publike që nuk është dhënë në koncesion para se ligji të vijë në Kuvend.

“Ata kanë treguar se afarojnë në kushte shumë të vështira dhe një nga problemet është çështja e sigurisë e ata i bëjnë uljet dhe ngritjet e aeroplanëve, do të thotë menaxhohet kulla prej kësaj pjese, e cila pretendohet të shndërrohet në agjenci”, tha Bajrami.