Miliardat e kosovarëve në Bashkimin Evropian

Për një vit kosovarët kanë dërguar mbi 2.6 miliardë euro në shtetet e rajonit dhe Bashkimit Evropian. Me këto para ata kanë blerë miliona kilogram ushqim e pije dhe gjëra të tjera.

Lajme

10/02/2017 14:53

Kaq është vlera e mallrave të importuara për një vit në Kosovë. Ndërkaq, kompanitë kosovare në statistika mezi arrijnë të mbulojnë nevojat minimale të konsumit në vend.

Nga janari deri në dhjetor të vitit të kaluar të gjitha mallrat e eksportuara nga Kosova kapin shifrën 307 milion euro. Kjo sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës nuk mbulon as 10 për qind të sasisë së importeve.

Krejt kjo për mungesë të kushteve të favorshme për prodhuesit vendës që të konkurrojnë me kompanitë jashtë Kosovës.

Njohës të ekonomisë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit patën vlerësuar se nëse vazhdohet të ecet me këtë ritëm për përkrahjen e sektorit prodhues, Kosovës i duhen edhe 50 vjet për ta balancuar bilancin negativ tregtarë. Ata kërkojnë veprime nga pushteti dhe revulicion të politikat fiskale ekonomike dhe financiare.

Qeveria premton përkrahje

Në prag të fillimit të zbatimit është edhe pakoja e re fiskale e Qeverisë së Kosovës, e cila sipas ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, do të ndihmoj në uljen e varësisë së vendit për importe të cilat mund të zëvendësohen nga prodhimi vendas.

“…ne po punojmë në një sërë projektesh dhe politikash të cilat kanë si vizion primar stimulimin e prodhimtarisë në vend. Ndryshimet në pakon fiskale 1.0 dhe tash në pakon fiskale 2.0 kanë si fokus kryesor krijimin e politikave të cilat favorizojnë aktivitetin prodhues në vend”, pati thënë për Gazetën Fjala Bajrami.

Në këtë drejtim, ajo thotë se MTI po punonë së bashku me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet financiare në projekte konkrete të cilat po ndihmojnë prodhuesit vendës në certifikimin e produkteve të tyre me certifikata të cilësisë të cilat njihen ndërkombëtarisht dhe u hapin rrugën e eksportit në vendet e BE-së dhe më gjerë.

“Mendoj se politikat tona ekonomike duhet të vazhdojnë me këmbëngulje në stimulimin e aktivitetit prodhues në vendin tonë e cila garanton që ne të kemi më shumë produkte dhe në këtë mënyrë të ulim nivelin e lartë të importeve që kemi aktualisht”.

Në këtë aspekt, përveç rritjes kuantitative, ajo thotë se duhet të fokusohen edhe në rritjen e cilësisë së produkteve vendore, por edhe të besueshmërisë së konsumatorëve karshi prodhimeve nga vendi.

MSA sfida e prodhuesve vendës

Një tjetër sfidë para prodhuesve vendës duket të jetë edhe Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e miratuar më 22 tetor 2015 nga Këshilli i Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit të kaluar.

Sektori i pazhvilluar i prodhimtarisë, sipas njohësve të ekonomisë ka bërë që Kosova të mos jetë përfituese e madhe e këtyre marrëveshjeve.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se vendi ka shumë pak produkte dhe shërbime që mund t’i eksportojë, derisa shtetet me të cilat janë nënshkruar marrëveshjet, e kanë të zhvilluar mjaft shumë sektorin e prodhimtarisë dhe kanë çfarë të sjellin në Kosovë.

“Në rend të parë, marrëveshjet për tregti të lirë, në përgjithësi, duhet të shihen si marrëveshje që sjellin përftime për palët nënshkruese, pasi që iu mundëson vendeve të vogla në këtë rast, Kosovës, që të kenë qasje në një treg më të madh. Por, problemi i parë është se ne kemi një bazë të dobët industriale, prodhojmë shumë pak dhe politikat fiskale në të kaluarën nuk kanë qenë favorizuese për zhvillimin e fuqizimin prodhimtarisë”, ka thënë Zeka.

Edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, Shpend Balija, pati vlerësuar se  Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, sipas Balijajt, i tejkalon të gjitha marrëveshjet e tjera tregtare që Kosova ka nënshkruar më parë. Por, që përftimet nga kjo marrëveshje nuk mund të jenë të mëdha nëse Kosova nuk përgatitet dhe nuk stimulon prodhimtarinë.

“Prandaj, Kosova duhet të bashkëpunojë me investitorë e huaj, të krijojë sa më shumë kompani dhe të bëhet vend kryesor i prodhimit./Gazeta Fjala