Miletiq dhe Rakoçeviq: Institucionet e Kosovës vendi për shprehjen e problemeve të serbëve

Petar Miletiq, ish-nënkryetar i Parlamentit të Kosovë dhe Zhivojin Rakoçeviq analist serb, kanë deklaruar sot se është mirë që përfaqësuesit e serbëve kanë vendosur të kthehen në institucionet e Kosovës.

Lajme

24/04/2015 13:28

Ata kanë thënë se institucionet janë ato ku ata mund të shprehin qëndrimet dhe se aty mund të insistojnë në formimin e Asociacionit të komunave serbe.

“Duhet të shihet se a munden të arrijnë rezultate lidhur me Brezovicën, Trepçën, të ndalojnë atë që po planifikohet për Gazivoden”, ka thënë Rakoçeviq për Tanjug-un.

Sipas tij, Lista Serbe duhet t’i kthehet institucioneve të Kosovës në mënyrë që të ndalojnë disa “procese të këqija” siç i quan ai.

Ndërsa, Petar Miletiq, ndonëse ka përshëndetur kthimin e kësaj liste, ai ka kërkuar sqarime nga ky koalicion politik, të tregojë se cila ishte esenca e mospjesëmarrjes së tyre disamujore në institucione.

“Është mirë që janë kthyer në institucione, megjithëse rastin që të arrijnë rezultate për disa çështje e kanë lëshuar që në pjesën e parë të mandatit të tyre. Po theksoj se mekanizmi i bojkotit tashmë është shpenzuar dhe kurrfarë kërcënimi me bojkot apo dalje nga institucionet në të ardhmen nuk do të luajë rol, sepse paralajmërimet e tilla do të merren si joserioze”, ka thënë Miletiq.

Këto komente u bënë pas vendimit të përfaqësueseve të Listës Serbe të cilët vendosen dje, që të kthehen ne Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.